Policia ka vënë në pranga dy persona, drejtues në Operatorin e Sistemit të Transmetimit për ngjarjen e rëndë të një dite më parë ku humbën jetën dy punëtorë të kësaj kompanie
Sipas policisë, një shtyllë elektrike e tensionit të lartë ra duke iu marrë jetën dy punonjësve të OST, Gjergji Duka, 50 vjeç, banues në Kuçovë dhe Bashkim Saliasi, 64 vjeç, banues në Mallakastër. Ata ishin duke punuar për demontimin e linjës së vjetër.
Lidhur me këtë ngjarje policia ka vënë në pranga A. P., 38 vjeç, me detyrë Drejtor pranë OST, Njësia Operative Fier dhe E. L., 38 vjeç, banues në Fier, me detyrë Inxhinier. Arrestimi i tyre u bë pasi këta shtetas në bashkëpunim me njeri tjetrin kanë urdhëruar punonjësit e tyre të kryejnë punime në mënyrë të kundërligjshme në linjën 110 KV në Jagodinë, Fier, ku si pasojë kanë gjetur vdekjen gjatë punimeve Gjergji Duka dhe Bashkim Saliasi.