Pedagogia e Letërsisë, Ermelinda Kashah, e cila mbajti një fjalim dje në takimin e Sali Berishës në Gjirokastër, ka bërë sot një reagim për portalin tonë, i cili botoi çfarë tha ajo me zë dhe figurë dje në një takim publik. Në reagimin e saj, Kashah pretendon se ne kemi dizinformuar dhe kemi transformuar deklaratat e saj. Për dijeni të saj dhe të lexuesve tanë sqarojmë si vijon.
1. Nuk është e vërtetë që kemi transformuar deklaratat e saj dhe as kemi dezinformuar. Në LINKUN këtu mund të lexoni shkrimin e plotë dhe ta dëgjoni gjithashtu nga goja e zonjës Kashah.
2. Nuk kemi gjykuar asnjëherë të drejtën e saj që të mbajë fjalime apo qëndrime për cështje të caktuara. Kjo është në lirinë e saj të plotë dhe e ka natyrisht të gjithë hapësirën për ta bërë këtë gjë, qoftë edhe në takimin e djeshëm. Nuk paragjykojmë kurrsesi lirinë e saj për t’u angazhuar politikisht në një forcë politike.
3. Jemi plotësisht edhe ne në lirinë tonë të plotë, të raportojmë, analizojmë apo mbajmë qëndrime për cështje që artikulohen nga njerëz të angazhuar politikisht ose në takime publike të forcave politike. Në vlerësimin tonë çfarë ju artikuluat është sulm kundër Ismail Kadaresë. Po ju citojmë: “Në një mënyrë cinike, ta pashoq, të poshtëruar, aty gjeta mbiemrin tim Kashah, të cilin e ka masakruar shkrimtari i madh Ismail Kadare. Kuptova se ç’do të thotë fjala persekutim. E thënë troc të shkruash vetëm me lapsin e një diktature të egër ose shkurt me lapsin e partisë, por jo me lapsin e një shkrimtari. Hulumtova shumë fort për këtë roman dhe kuptova përse familja Kashah ishte persekutuar.
4. Thënë këto, ju zhbëni letërsinë e Ismail Kadaresë dhe thoni që ai ka shkruar siç ka dashur regjimi i Enver Hoxhës dhe lëni të kuptoni se veprat e tij s’kanë vlerë. Nuk biem dakord me qëndrimin tuaj, por natyrisht respektojmë të drejtën dhe lirinë tuaj të plotë për ta thënë atë që mendoni. Biem dakord për të mos rënë dakord.
5. Nuk kemi asnjë interes të mësojmë mendimin tuaj për Kadarenë dhe cfarë keni deklaruar ju në emisione të tjera. Na mjaftoi ajo që artikuluat dje në një takim publik. Për atë ne raportuam, pa transformuar asnjë fjalën tuaj, pa dizinformuar aspak.
6. Se ku drekon e darkon Ismail Kadare, nuk është në interesin tonë. Çfarë ai ka shkruar është një pasuri e jashtëzakonshme e letërsisë shqiptare dhe mbarë botës. Kjo na mjafton!
7. Eshtë e pavërtetë që kemi bërë lajm për klikime. Por edhe në qoftë ashtu sic ju thoni, kjo s’ka pikë rëndësie. Çështja është kemi gënjyer diku apo jo? Të kemi fyer diku apo jo? Absolutisht jo! As kemi gënjyer dhe as të kemi fyer. Thjesht kemi përcjell cfarë ju deklaruat me zë dhe figurë në një takim publik.
8. Ju thatë se Sali Berisha dhe “Foltorja” e tij ishte mëngjesi juaj dhe i shumë të tjerëve. Ju thatë se e keni zili Sali Berishën për lidershipin, karrizmën dhe frymëzimin që ju jep. Sigurisht e drejta juaj të ndiheni e të mendoni kështu, nuk po ju gjykon njeri. Ne thjesht kemi raportuar cfarë ju thatë dhe asgjë më shumë. Nëse s’jeni e bindur ridëgjoni edhe njëherë fjalimin tuaj. E keni me video më poshtë.
9. Sa për reagimet e komentuesve, nuk është përgjegjësia jonë t’i mësojmë cfarë duhet të thonë e cfarë jo. Kjo është një platformë e hapur, publike, ku gjithsecili mund të shkruajë ashtu si e mendon. Ne nuk kemi filtra dhe nuk mbajmë përgjegjësi për komentet. Përgjegjësia jonë është për çfarë shkruajmë ne përmes faqes së portalit. E megjithatë nëse ka patur komente me gjuhë denigruese në adresën tuaj, se të jemi të sinqertë nuk i kemi lexuar, e kemi si ritual që nuk i shohim komentet poshtë lajmit, ju kërkojmë ndjesë për sa na takon neve, por sic ua shpjeguam më sipër, nuk është përgjegjësia jonë të mësojnë njerëzit si të mendojnë dhe japin gjykime.
10. Për transparencë më poshtë reagimi i plotë i Ermelinda Kashah në adresë të portalit tonë, si dhe video e fjalimit të saj një ditë më parë ku sic mund të shihet e të dëgjohet, s’ka asnjë transformim nga cfarë ne kemi raportuar.
Drejtuar portalit “Argjiro.Lajm”
ArgjiroLajm.net
Mos disinformoni lajmin!
Mos disinformoni lajmin. Kur jepet një lajm, duhet të jesh shume korrekt sepse ky është kyçi dhe suksesi i gazetarisë njëkohësisht : “Të flasësh me fakte”. Mirëpo në rastin tim,arsyeja është fare qesharake. Për një fjalim që unë kam mbajt dhe besoj se është e drejta e kujdo,ju e transformuat ashtu siç e menduat, duke më fyer mua, por duke fyer shumë komentues që në drejtimin tim kanë përdorur fjalë jo të mira.Këtyre komentuesve u jap shumë të drejtë. Dhe a e dini pse? Sepse ndonjëherë të rrëmben titulli, pa ditur përmbajtjen brenda dhe kjo nuk është faji i tyre. Një gjë e tillë edhe mua më ka ndodhur. Për interes të opinionit publik, po ju them se unë nuk isha në konferencë letërsie, ato çka kam thënë për shkrimtarin tonë Kadare i kam thënë në studio televizive, edhe pse e vërteta dhemb. Më thoni ku e kam fyer shkrimtarin në këtë rast? Tregohuni të vërtetë në të bërit lajm. Mos më kujtoni dhembjen e familjes sime që është poshtëruar në atë kohë dhe që unë nuk do ia uroja askujt vuajtjet çnjerëzore siç dhe ne kemi vuajtur. Po ju them se nëse doni të dini se cili është mendimi im për Kadarenë, hapni në internet dhe klikoni te emisioni i Aida Shtinos: “Identitet”. Përse nuk merrni dhe anën tjetër të medaljes, që jo më shumë nga një muaj, shkrimtari Kadare erdhi dhe darkoi në restorantin tonë? As që bëhej fjalë që ne t’ia përmendnim atë dhembje që na shkaktoi me apo pa dashje.Por e pritëm, e përcollëm ashtu siç dinë njerëzit fisnik sepse ndonjëherë heshtja vret më shumë.Dera jonë do të jetë derë e madhe për këdo që ne na hyn në shtëpi. Është turp që për të marë sa më shumë klikime,ju përdorni një keqinformim, por mua kjo gjë me sinqeritet nuk më bën përshtypje.Përshtypje më bëjnë vetëm gënjeshtrat, cinizmat ndaj dikujt,moskorrektësia, që në karakterin tim këto janë shumë larg.
Fjalimi më poshtë:
I nderuar doktor Berisha!
Faleminderit qe sot je përsëri i pranishëm këtu mes nesh.
Të dashur qytetarë gjirokastritë!
Marr shkas të përshëndes themeluesit e partisë Demokratike, pasi çdo fjalim i një demokrati sot , për mua është një mesazh, është një fjalim simbol.Isha vetëm trembëdhjetë vjeç në vitin 1991 dhe ende nuk i kuptoja trazirat që ndodhnin në vendin tim.Por pas disa viteve, ku unë u maturova, lexova romanin e famshëm “Kronikë ne gur”dhe në një mënyrë të pashoq, cinike dhe të poshtëruar, befas gjeta mbiemrin e familjes sime.Aty kuptova se çdo të thotë fjala persekutim, e thënë troç: -Të shkruash me lapsin e partisë dhe jo me lapsin e shkrimtarit.
E mora si shembull për t’ju thënë ju zonjave dhe zotërinjve demokratë, se sot nuk ka vend për pesimizëm, pasi Shekspiri i madh ka thënë një shprehje shumë të bukur: “Nuk ka natë të gjatë, pa ardhë mëngjesi”, prandaj dhe unë jam frymëzuar nga kjo thënie ku dhe Pd do të ringrihet.Pra, mëngjesi tonë i parë ishin foltoret.Mëngjesi ynë i parë jeni ju doktor Berisha, që me forcën, elokuencën, dhe energjinë që jo cdokush e ka, unë personalisht të kam zili. Personalisht nuk më pëlqen të merrem fare me të shkuarën, dhe a e dini pse? Sepse për fatin tonë të keq ne kishim një kryetar si Lul Basha. Çuditem sesi ende merreni me të.Më pëlqen të merrem me të ardhmen dhe vras mendjen sesi do të shkojmë në fitore dhe përgjigja është : Në fitore shkohet vetëm të bashkuar, më të fortë, më të sigurt, që do të thotë se, ata njerëz që janë aty me Bashën, ata janë njerëzit tanë. Doktor! Ju me pjekurinë politike, dhe ne me aq sa mundemi kontribut në atë fushë që jemi të aftë (pasi këtu jemi të fushave të ndryshëm), kemi goxha punë përpara.E rëndësishmë është që ne do ia dalim.
Suksese!