Kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi, ka reaguar pas situatës së krijuar së fundi për shkak të disa vatrave të zjarrit. Ai apelon për të patur kujdes, si dhe paralajmëron ndëshkim për zjarrvënësit. Gjatë 24 orëve të fundit në Gjirokastër ka patur vatra zjarri nëpër fshatra, por edhe në periferi të qytetit.
Reagimi i plotë i Golemit
🔴 Nisur nga situata e krijuar prej dy ditësh në territorin e Bashkisë Gjirokastër, ku ka patur disa vatra zjarri, dua të përsëris një THIRRJE TË FORTË, kryesisht për banorët e fshatrave: Mos luani me zjarrin! Çdo neglizhencë apo pakujdesi e juaja, por edhe tentativat e qëllimshme për të ripërtërirë kullotat, mund të jenë fatale për ne.
🔴 Rrezikoni jetën e pronën tuaj e të komunitetit, shkatërroni mjedisin dhe na vendosni të gjithëve përballë një emergjence nga e cila nuk e dimë si dalim, sado të zotë që të jemi në mjete e burime njerëzore. Me zjarrin nuk bëhet shaka dhe këtë s’e them thjesht unë, por e di i madh e i vogël mbi këtë tokë. Kushdo që ka gisht në zjarrvëniet e ditëve të fundit, por edhe në çdo rast tjetër, do të marrë ndëshkimin e merituar siç e parashikon ligji. Zero tolerancë për piromanët!
🔴 Shërbimi Zjarrfikës, Policia e Shtetit dhe strukturat tona të Pyje Kullotave janë në terren për të bërë gjithçka na takon dhe është në dorën tonë që të kalojmë këtë emergjencë. Por lufta me zjarrin nuk fitohet duke na lënë vetëm. Ju lutem tregohuni të përgjegjshem dhe MOS LUANI ME ZJARRIN! 🙏