Pas çarjes në mes dhe fundosjes së Aksit rrugor Sarandë-Borsh si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë duke u bërë e pakalueshme, përveç ARRSH-së edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ngritur një grup të posaçëm për të kryer një auditim për të zbuluar shkaqet e shembjes. Burime nga KLSH thonë për Report tv se KLSH do të analizojë situatën për të gjetur problematikën përse ndodhi fundosja e rrugës dhe identifikimin e përgjegjësve. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu urdhëroi në mënyrë të menjëhershme verifikimin për procedurat që janë ndjekur për lidhjen e kontratës me kompaninë që ka fituar prokurimin dhe cilësinë e punimeve që janë bërë në terren. Kompania Salillari e ka rikonstruktuar një vit parë rrugën. Rruga është ndërtuar gjatë viteve 2006 – 2008, ndërkohë që gjatë pranverës së kaluar është bërë riveshje e asfaltit, pasi kishte filluar çarje e asfaltit.
Rruga është çarë në një segment prej 50 metër. Ndërsa më 8 janar zëvendësdrejtori i ARRSH-së Erion Koka tha në Report TV se do të kishte hetim për këtë çështje.