Teksa SHBA i bëri sot një paralajmërim qytetarëve të saj që të shmangin udhëtimin në Lazarat, gazetarja Brikena Metaj ka udhëtuar drejt këtij fshati duke sjellë për ‘News24’ një panorame të asaj çka ndodhte në këtë fshat të Gjirokastrës. Ambasada iu bënte thirrje punonjësve të qeverisë amerikane, por edhe qytetarëve të saj që të mos kalojnë në këtë fshat për shkak të kriminalitetit. Sipas gazetares, prej kohësh ky fshat është shumë i qetë dhe duket se historia me kultivimin e kanabisit i përket së shkuarës. Metaj tha se tashmë banorët po tentojnë që të orientohen drejt turizmit.
“Gjithçka në këtë fshat duket e qetë. Në këtë orë njerëzit të gjithë pushojnë. Ky fshat po përpiqet qe te orientohet drejt turizmit. Kemi pasqyruar kronika ku banorët përpiqen që të merren me turizëm, me kostume popullore, apo mbajtjen e blerëve apo dhe bimë medicinale”, tha Metaj. Kujtojmë se Lazarati është në listën e 100 fshatrave për shkak të resurseve që ka.