Prej mesditës së 2 janarit vendi është përfshirë nga reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta. Dëbora e rënë gjatë natës ka sjellë vështirësi në qarkullim në qafën e Llogarasë. Problem mbeten ngricat, ndërsa temperatura më e ulët pritet të shënojë vlerën e -7 gradë Celsius. Trashësia e dëborës ka qenë deri në 15 cm, por temperaturat e ulëta kanë sjellë dhe ngrica në rrugë.
Aktualisht rruga është e hapur dhe kalohet pa zinxhirë. Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj, ka lajmëruar dhe këshilluar drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes në ditët në vijim dhe sidomos në orët e natës, pasi ulja e temperaturave do të sjellë sërish ngrica.
Mamaj: Përpara se të nisen për rrugë që historikisht kanë dëborë duhet të konsultohen me buletinet meterologjike, të mbajnë me vete zinxhirë dhe të bëjnë kujdes me shpejtësinë.
Edhe në Korçë, reshjet e dëborës kanë sjellë probleme.Ndërkaq borëpastrueset janë në gatishmëri, kryesisht në zonat problematike.
Punonjës të policisë rrugore janë përqëndruar në segmentin e Dardhës për të mos lejuar automjetet të pa pajisura me zinxhirë. Moti i keq ka shkaktuar probleme edhe në furnizimin me energji elektrike. Ndërsa në Kukës sasia e dëborës varion nga 3 cm në qytet në rreth 20 cm në lartësitë mbi 700 m mbi nivelin e detit. Temperaturat kanë zbritur në -4 gradë Celsius gjatë natës. Të gjitha rrugët nacionale janë të kalueshme dhe pa probleme.