Partia Demokratike mblodhi sot aktivin e degës së Gjirokastrës në prag të organizimit të protestës. Gjatë fjalës së tij kryetari Dasho Aliko hodhi akuza ndaj kryebashkiakes Zamira Rami për investimin në Tregun Industrial. Ky i fundit, sikundër e ka denoncuar disa herë Argjirolajm.net është një investim gjysmak. Në ditët me shi, çatia e tregut pikon edhe pse ka rreth 6 muaj nga inagurimi.
“U bë investimi i tregut. Gëzuam të gjithë sepse ishte një investim i domosdoshëm. Vlera e tregut ishte një vlerë skandaloze. Nuk i doli ajo vlerë, por u bë edhe një shtesë fondi 20% me prokurim të drejtpërdrejtë që firma të merrte sa më shumë lekë në kurriz të qytetarëve të Gjirokastrës. Tregtarët janë detyruar ditën që bie shi të rrinë me mushama dhe plastmas në dorë të mbulojnë mallin e tyre. Ishte një investim me cilësinë më të dobët të mundshme. Ne këtë e kemi denoncuar edhe në Këshillin Bashkiak”, tha Dasho Aliko.
Deri më tani s’ka asnjë reagim nga Bashkia Gjirokastër për situatën e krijuar në Tregun Industrial. Nëse analizon zhvillimet e fundit në Gjirokastër duket se ka një tërheqje të Zamira Ramit edhe nga aktivitetet publike, reagimet për akuza apo çështje të tjera me sensibilitet. Kjo të bën të mendosh se kryebashkiakja është thjesht duke mbyllur mandatin e saj në këto muaj që i kanë mbetur, pa patur mundësi për një rikandidim për mandatin e dytë.
©argjiroja.net