Kryetari i PD-së në Gjirokastër, Dasho Aliko, bëri deklaratën e parë për media për vitin 2020. Jo se kishte ndonjë çështje specifike për të folur, por meqë doli, kishte vendosur të prekte disa tema. Tha se shkolla “Asim Zeneli” është në gjendje të keqe. Edhe pse është rikonstruktuar, sipas Alikos aty nxënësit futen me çizme e mushama.
Për shkollën e Libohovës i kishin servirur informacion të rremë, duke i thënë se kaldaja ka kushtuar 600 milionë lekë, kur në fakt investimi ka qënë rikonstruksion, ndërtim i ri palestre, si dhe sistem ngrohje me kaldaja. Por më interesante ishin premtimet e tij dhe thirrja për të votuar PD-në sikur zgjedhjet të ishin nesër.
Aliko tha se do ta zgjerojë qarkun e Gjirokastrës duke përfshirë brenda tij edhe Sarandën e Delvinën. Kur foli për Universitetin “Eqrem Çabej” tha se qeveria e PD-së do të hapë degën e Juridikut në Gjirokastër. Premtimet vijuan më tej me rikthimin e atyre drejtorive që sipas Alikos i ka hequr Rilindja nga Gjirokastra. Nuk mungoi në deklaratë as një nga ato fjalitë patetike që nuk thonë asgjë: Ne do t’i japim frymëmarrje bizneseve dhe do t’i kemi partnerë…
“I bëj thirrje gjithë votuesve të rrethit Gjirokastër të votojnë Partinë Demokratike për të parë të mirat e saj. Ne mbase s’jemi më të mirët, por më mirë sesa PD nuk e ka qeverisur njeri këtë vend”, tha Aliko.
Sipas kryetarit të PD-së në qeverinë e ardhshme me Kryeministër Lulzim Bashën, Gjirokastra do të bëhet nuse e bukur.
©argjiroja.net