Video më poshtë tregon momentin e dorëzimit tek policia greke në Kakavijë të 45-vjecarit Spartak Dyrmishi, i cili u arrestua në Vlorë si i kërkuar nga drejtësia greke për përdhunimin e një gruaje në Athinë dhe tentativën për të abuzuar me një tjetër. Ai u arrestua nga Policia e Shtetit mbrëmjen e kaluar në Vlorë pas një komunikimi që Ministri grek i Brendshëm pati me homologun e tij shqiptar, Bledi Çuçi. Për arrestimin e përdhunuesit reagoi mëngjesin e sotëm edhe Policia e Shtetit përmes një deklarate ku jepte detajet e operacionit për kapjen e tij.
NJOFTIMI I POLICISE SE SHTETIT
Angazhimi maksimal i strukturave të Policisë së Shtetit, reagimi profesional dhe në kohë, çuan në kapjen dhe dorëzimin vullnetar te Policia greke, të 45-vjeçarit nga Vlora, i kërkuar në Greqi, për përdhunim.
Policia e Shtetit, menjëherë pas shkëmbimit të informacioneve me homologët grekë, për një shtetas shqiptar që kishte përdhunuar një shtetase dhe kishte tentuar të përdhunonte një shtetase tjetër, organizoi strukturat operacionale për të ushtruar kontrolle të imtësishme në territorin ku dyshohej se fshihej 45-vjeçari.
Pas kërkimeve të pandërprera, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë bënë të mundur kapjen e shtetasit Spartak Dyrmishi, 45 vjeç, banues në Vlorë.
Duke qenë se ky shtetas ka shprehur dëshirën e tij për t’u dorëzuar te Policia greke, në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia shqiptare e ka dorëzuar atë në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavije.
Gjatë një komunikimi në mesnatë, mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë greke Gjeneral Lieutenant Konstantinos Skoumas u vlerësua bashkëpunimi dhe reagimi mjaft profesional i Policisë shqiptare.
Drejtori i Policisë greke, Konstantinos Skoumas e ka falënderuar Drejtorin e Policisë shqiptare, për angazhimin dhe komunikimet e vazhdueshme të realizuara këto ditë, për reagimin e menjëhershëm dhe veprimet profesionale të Policisë shqiptare, të cilat ndikojnë në rritjen akoma më shumë të besueshmërisë nga homologët, forcimin e bashkëpunimit mes palëve, si dhe në rritjen e imazhit të Policisë shqiptare, ndërkombëtarisht.