Drejtuesi politik i PS-së në Gjirokastër, Bledi Çuçi, ka zhvilluar një takim me disa gra e vajza që kanë biznese në zonën Pazarit. Teksa poston disa foto nga takimi, Çuçi shkruan sa ka biseduar me to “për vështirësitë që ka krijuar pandemia në aktivitetin e tyre, por edhe domosdoshmërinë që ta konsiderojmë këtë krizë si një mundësi për ringritje sepse më shumë herët sesa vonë ne do të çlirohemi nga kjo gjendje e do t’i rikthehemi jetës si më parë”.
“Edhe pse jemi përballur me një periudhë të vështirë për shkak të Covid 19, në Pazarin e Gjirokastrës janë hapur e po hapen biznese të reja. Falë restaurimit të plotë, kjo zonë është tashmë pjesa më atraktive në qytet. Restaurimi i ka dhënë vlerë pronave në këtë hapësirë dhe ka nxitur investime të reja. Lajm shumë i mirë që këto biznese prej këtij viti përfitojnë nga vendimi i qeverisë për bërjen zero të TVSH-së dhe Tatim Fitimit. Ky ishte një zotim i yni që lehtëson mbi 90 mijë biznese në të gjithë vendin. PD që premton taksën e sheshtë, do t’u marrë më pak atyre që fitojnë më shumë dhe do të shtrëngojë më tepër ata që fitojnë më pak. Më 25 prill nuk vendosim thjesht për mandatin tonë të tretë. Kemi në dorë të mos lejojmë kthimin prapa te rrëmuja dhe rrënimi #PDLSI.#”, thotë Çuçi.