Një studim i realizuar në muajt tetor-nëntor të këtij viti, për matjen e perceptimit të publikut mbi punën e Policisë së Shtetit, është publikuar sot nga Ministria e Brendshme. Studimi i financuar nga qeveria suedeze në kuadër të programit për forcimin e policimit në komunitet dhe i realizuar me po të njëjtën metodologji që përdorin sot vendet e Bashkimit Europian, jep të dhëna shumë domethënëse për punën e Policisë së Shtetit, që në shumë aspekte qëndron në mesataren e vendeve të BE-së. Gjetjet kryesore të studimit i ka prezantuar ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, në prani edhe të drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit.
“66% e publikut mendon se Policia e Shteti po bën një punë të mirë krahasuar kjo me 36% në vitin 2013. Shikoni se çfarë ndryshimi drastik! Gati dyfish ka pësuar perceptimi që policia bën mirë punën e vet, krahasuar me 2013-ën”, tha ministri Çuçi.
80% e të intervistuarve deklarojnë se ndihen të sigurt kur ecin vetëm në lagjen e tyre pasi është errësuar. Kjo theksoi ministri Çuçi është një pyetje e rëndësishme për të kuptuar se Policia e Shtetit jep garanci tek publiku.
“Pra, në një farë mënyre njerëzit ndihen më të sigurt, pikërisht sepse krimet kanë ardhur në rënie, dhe e mendojnë vetë, e perceptojnë vetë që nuk do i vijë asnjë e keqe”, theksoi ministri.
Përsa i përket shprehjes se vendimet dhe veprimet e Policisë së Shtetit janë të influencuara në mënyrë të padrejtë nga presionet e partive politike dhe politikanëve, 62% e të anketuarve besojnë se vendimet dhe veprimet e policisë janë të ndikuara në mënyrë të padrejtë nga presionet e partive politike dhe politikanëve. Megjithatë ka përmirësim krahasuar me vitin 2013, kur kjo shifër ishte në nivelin 71%.
“Kjo është shumë interesante, është një pyetje që iu jep përgjigje të gjithë atyre që nuk lënë vend pa shpifur, që Policia e Shtetit është bërë polici politike. Dhe është një përgjigje e drejtpërdrejtë, ku me kënaqësi e shohim që Shqipëria prapë është në një trajektore shumë pozitive, krahasuar me vendet e tjera. Shikoni ku kemi qenë në 2013, krahasuar me vendet europiane! Shiko ku është Shqipëria sot, në 2020, krahasuar me mesataren e vendeve europiane. Kemi lënë mbrapa madje edhe shtete si Mbretëria e Bashkuar, Holanda, Spanja apo Franca për sa i përket perceptimit se sa e politizuar është Policia e Shtetit. Më vjen shumë mirë që publiku nuk është ndikuar në masë nga balta që i bëhet nga politika e mbrapshtë dhe nga gjithë sulmet e padrejta që pëson Policia e Shtetit”, u shpreh ministri Çuçi duke vënë theksin te perpjekja e përbashkët për të përmirësuar më tej këtë marrëdhënie midis publikut dhe Policisë së Shtetit, e cila është themeli i funksionimit të një shteti që garanton zhvillimin e një shoqërie europiane siç është Shqipëria.
Një pikë tjetër e trajtuar në këtë studim është çështja e ryshfetit në radhët e Policisë së Shtetit. Publiku e vlerëson Policinë e Shtetit me notë mesatare 54. Ka përmirësim të dukshëm krahasuar me vitin 2013 kur ishim në të njëjtin nivel me Ukrainën, 74%. Sot jemi disa vende pranë mesatares së BE-së.
Përsa i përket kohës se sa shpejt mbërrin Policia e Shtetit në vendngjarje, ndryshe nga viti 2013 kur ishim të fundit në Europë, pasi vetëm 42% mendonin se policia do të arrinte jashtëzakonisht shpejt në vendin e ngjarjes, sot jemi në nivelin 59%, pranë vendeve si Holanda e Lituania dhe shumë pranë mesatares së Bashkimit Europian, 67%. Kjo nuk është fare e rastësishme, por vjen si rezultat edhe i investimeve në infrastrukturën e domosdoshme, siç është flota e rinovuar e mjeteve, komisariati dixhital etj.
Të pyetur lidhur me trajtimin me respekt nga ana e Policisë së Shtetit, sot jemi në nivelin 58%, vetëm 5% larg mesatares së Bashkimit Europian që është në nivelet 63%. Ndërkohë në vitin 2013 ishim pas Ukrainës, ku vetëm 20% e të anketuarve deklaronin se trajtoheshin shpesh me dinjitet nga Policia e Shtetit.