Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar sot se në të gjithë vendin janë konfirmuar edhe 117 raste të reja me COVID-19. Ndërkohë bëhet me dije se një prej rasteve është në Sarandë, që ka lidhje me të infektuarit e pak ditëve më parë.
Sipas informacioneve mësohet se bëhet fjalë për një fëmijë 3-muajsh i një 25-vjeçareje, e cila rezultoi pozitive pak ditë më parë. Ndërkohë mësohet se nënë e bij janë nisur drejt spitalit Infektiv të Tiranës, pasi kanë shfaqur shenja të sëmundjeve.
Ministria e Shëndetësisë në përditësimin e të dhënave për 24 orët e fundit ka bërë me dije se kanë humbur jetën 6 pacientë dhe janë konfirmuar 117 raste të reja. Po ashtu njoftohet se janë rritur shtrimet në spital. Që nga nisja e pandëmisë kanë humbur jetën 144 pacientë dhe aktualisht janë 1991 raste pozitive.