Deputeti socialist, Erion Braçe u bën thirrje qytetarëve shqiptarë që të blejnë vajin e ullirit. Duke ngritur shqetësimin se çmimi i vajit të misrit është bërë i pakontrollueshëm, Braçe tha se çmimi shkon në rritje dita-ditës. Braçe i bën thirrje qytetarëve që të blejnë vaj ulliri në vendin tonë në mënyrë që të kursejnë dhe të ushqehen shëndetshëm pasi shitet 100-150 lekë më lirë se vaji i misrit.
“Çfarë t’ju them? Natyrisht që Bordi i çmimeve bëri mirë që vuri në kontroll çmimin e vajit të lulediellit, por mesa duket qenka kompensuar me çmimin e vajit të misrit. E kisha dëgjuar edhe këtë fakt. Bordi bëri një ushtrim jetik për vajin e lulediellit, analizoi blerjen dhe vuri nën kontroll çmimin. Një thirrje kam, nga Lushnja në Divjakë, Berat, Fier, Dumre, sipër në Lezhë keni vaj ulliri me 400-450 lekë/litër. Sa të blini vaj misri me 500-550 lekë, shkoni e blini vajin tonë të ullirit, është i jashtëzakonshëm për t’u ushqyer dhe për të kursyer siç duket qartë nga çmimet tani”, thotë Braçe në video, ndërkohë që shkruan në Facebook:
‘VAJI I LULEDIELLIT-I KONTROLLUAR PO SHKON NE 400 LEKE/LITER; VAJI I MISRIT-I PAKONTROLLUAR PO SHKON 500-550 LEKE/LITER. NJEREZ BLINI VAJ ULLIRI ME NJE CMIM 400-450 LEKE/LITER. Eshte prodhuar nga bujqit tane ne Divjake, Lushnje, Fier, Berat, Vlore, Breg, Dumre, Lezhe, thuajse ne kushte artizanale. BLIJENI! Eshte shume i ahendetshem per tu ushqyer po edhe per te kursyer! Sa te blini vaj misri per 550 leke/liter, BLINI VAJIN TONE TE ULLIRIT! Ne fshat eshte dhe tani eshte me i lire!’.
Vaji i misrit po shitet 450-500 lekë për litër. Në muajin maj vaji i misrit është zhdoganuar me 228 lekë litri, ndërkohë që qytetarët po e blejnë deri në 500-550 lekë, pra 2 herë më shumë sesa çmimi me të cilin importohet.