Nga Bledi Çuçi
Lehtësimi nga barra fiskale i naftës që përdoret për bujqësinë është një lajm i mirë për mbi 70 mijë fermerë në të gjithë vendin, nga të cilët 47,600 që kanë aktualisht NIPT-in e fermerit janë automatikisht përfitues potencialë të skemës, ndërsa pjesa tjetër pritet të formalizohet brenda vitit 2021.
Kjo politikë e re dëshmon edhe njëherë vëmendjen tonë të madhe për sektorin e bujqësisë, i cili ka një peshë të rëndësishme në ekonominë e vendit dhe është rritur vit pas viti falë politikave tona mbështetëse. Bujqësia ka njohur rritje edhe gjatë këtij viti të vështirë për shkak të pandemisë, mjafton të shohësh shifrat dhe faktet e pakundërshtueshme të eksportit të prodhimeve tona bujqësore.
Nafta e përdorur në bujqësi prej vitit të ardhshëm do të përjashtohet nga Akciza (44.4 lekë/litër); Taksa e Qarkullimit (32.4 lekë/litër) dhe Taksa e Karbonit (3.6 lekë/litër). Në total, për një litër naftë të përdorur për punime bujqësore, zbritet 80.4 lekë.
Pas përjashtimit nga taksat të naftës për sektorin e peshkimit, incentivë pati një impakt të jashtëzakonshëm, kjo që po bëjmë me bujqësinë është një tjetër tregues domethënës i vendosmërisë tonë për të ndihmuar realisht fermerët duke iu ulur koston e prodhimit, por dhe i vizionit që ne kemi për të rritur konkurrueshmërinë e produkteve bujqësore shqiptare
Transformimi i bujqësisë gjatë viteve të qeverisjes tonë është FAKT. Pritshmëritë e fermerëve dhe shqiptarëve në tërësi ndaj nesh janë plotësisht legjitime sepse afërmendsh që nga ne presin më shumë. Nga ata që kemi përballë nuk presin asgjë prandaj i kanë braktisur me kohë.