Kur kanë kaluar dy ditë nga zyrtarizimi i listave të kandidatëve për deputetë, te PD Gjirokastër ka pllakosur heshtja. Çuditërisht nuk ka asnjë reagim të paktën nga 3 kandidatët e parë në listë; Tritan Shehu, Roland Bejko dhe Entela Shehaj. Kur themi reagim e kemi fjalën edhe ndonjë si ata që bëhen komplet formalisht dhe shpesh nisin me frazën bajate “… falenderoj kryetarin për besimin, bashkë do të fitojmë e bla bla bla…”. Heshtje nga Tritan Shehu si drejtues politik i qarkut, heshtja nga Roland Bejko që sërish pas 4 vitesh është i dyti në listë njësoj si në zgjedhjet e vitit 2017 dhe heshtje nga Entela Shehaj, e cila konsiderohet si një prurje cilësore në radhët e PD-së. Ç’është kjo heshtje, përse nuk ka entuziazëm?
Pas 8 vitesh në opozitë PD-ja nuk do të humbte asnjë sekondë së bëri fushatë, nuk do të neglizhonte asnjë kanal komunikimi për të bindur qytetarët që t’i jepnin votën. Tritan Shehu, Roland Bejko dhe Entela Shehaj dy ditë pas zyrtarizimit të kandidaturave sillen sikur i kanë futur me zor në listë apo sikur janë në vaki. Tritan Shehu si drejtues qarku vazhdon për hesap të vet fushatën, duke postuar herë pas here foto nga takimet që në shumë raste bien ndesh me kufizimet e pandemisë.
Mungon një foto e përbashkët e të gjithë kandidatëve, një deklaratë apo sinjal që grupi do të funksionojë për të mbledhur çdo votë. Bejko s’ka bërë asnjë mesazh pasi siguroi vendin e dytë, Shehaj po ashtu është e tërhequr. Sigurisht që ka një rivalitet të brendshëm dhe legjitim mes kandidatëve, sidomos mes Tritan Shehut e Roland Bejkos, por heshtja që ka pllakosur këto dy ditë është vrastare dhe shenjë e asaj që pritet në 25 prill: PD nuk mund të marrë një rezultat më të mirë se zgjedhjet e vitit 2017. Për një rezultat edhe më të keq i ka të gjitha kushtet, duke nisur me drejtuesin politik që caktoi Lulzim Basha.
©argjiroja.net