• Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti
Nuk ka rezultate
View All Result
  • Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti
Nuk ka rezultate
View All Result
Nuk ka rezultate
View All Result

Bukuritë tek ne janë të vetmuara ose të kërcënuara

02/07/2020
Bukuritë tek ne janë të vetmuara ose të kërcënuara

Nga Alba Malltezi

Kur ndonjë privat ka gjetur dhe ka bërë të tijin një gji, një kodër, një pllajë e ka shfrytëzuar deri në pikën e fundit të “gjakut”. I ka marrë gjithçka. Kur bukuritë janë të të gjithëve, ndjehet braktisja dhe nënvleftësimi ndaj tyre. Kështu ose të kërcënuara nga ndërtime gjigande dhe frymëmarrëse, ose të braktisura nga indiferenca, bukuritë e tokës që aq ëmbël i këndoi poeti ynë Kombëtar Naim Frashëri, janë sot në vështirësi.

Disa ditë qëndrimi në Jug mund t’i konsideroj si më të bukurat të kaluara ndonjëherë: Një apartament i thjeshtë dhe i pastër mbi Gjirin e Sarandës me pamje që rrokte Korfuzin e tërë detin, hënën, yjet, kodrat e ç’ka bërë e ç’po bën njeriu. Saranda është “nën pushtimin e të huajve”. Edhe pse gjendja post Covid ende s’i ka dhënë mirëseardhjen të gjithëve; italianë, polakë, deri norvegjezë, janë si “të shtëpisë” dhe kanë blerë realisht shtëpi e aktivitete në këto anë. Shumë prej tyre kanë lënë gjurmë shumë ta qarta: Në mobilimin me shije të apartamenteve, në kuzhinën e zgjedhur, në shërbimet me standard. Pastërtia për shembull; para disa vitesh, nuk ishte kështu, duket se kërkesat kanë përmirësuar ofërtën dhe në Sarandë, ashtu siç përherë kam ëndërruar, gjen mjedise që nuk kanë asgjë për t’i pasur zili as Greqisë fqinje apo Italisë përballë, me çmime realisht shqiptare. Shumë privatë kanë përveshur mëngët dhe bëjnë më të mirën e tyre.

E megjithatë, vlerat më të mira të Jugut tonë ekstrem sikur janë lënë të vetmuara ose të kërcënuara. Shembulli i njërit prej ishujve të Ksamilit, “i kafshuar” nga kush në të bënte e mendonte të zgjeronte biznes, është simboli i kësaj që shkruaj. Megjithëse privati abuziv u largua, gjurmët e mbeturinave të tij janë lënë ashtu ende të dukshme nëpër shkëmb. Askush nuk është kujtuar të riparojë plagët e një ishulli pasuri kombëtare dhe krenari për të gjithë. Përreth, privatët kanë bërë gjëra të bukura dhe cilësore, por ndjehet se dikush është i privilegjuar me shezlongë të shpalosur nën çadra, të tjerë janë nën “kërcënimin” e policëve që bëjnë kontrolle blic, duke lënë turistët e parë nga Shqipëria e Kosova të ulen vetëm në rërë. Duket se zilia bllokon disa, ndërsa korrupsioni të tjerët i lëviz.

Butrinti është vlera jonë e jashtëzakonshme, por edhe aty kupton se ka interes jetësor vetëm kur dikush mund të bëjë biznes, në të kundërt, lihet pa asnjë vëmendje: askush nuk të jep mirëseardhjen e askush nuk të thotë mirësetëktheheni. Edhe kafeneja e ndërtuar mes shumë polemikash e protestash brenda mureve antike, është mbyllur dhe e braktisur në indiferencë; duket sikur Butrinti vlen vetëm kur ka për të dhënë, e jo kur duhet rigjallëruar pas një përiudhe të vështirë Covidi.

Kalaja e Likursit, si një kurorë mbretërore mbi qytetin bregdetar është magjike. Në të është ngritur me gurë një restorant e piceri (një picë e birrë në perëndim është shlodhëse me pamjen më të bukur të Ksamilit, e të gjirit të Sarandës), por edhe këtu dikush ka vënë interesat e privatëve mbi atë të bukurisë së shqiptarëve: antena telefonish nga të gjitha anët gërvishin me ndryshkun e tyre shikimin drejt të bukurës. Në Korfuzin përballë sheh të tilla antena vetëm në një vend në majë të majës, në zonë të pabanuar. Tek ne, antenat kanë rrethuar Kalatë tona më të bukura.

Syri i Kaltër është braktisur nga gjithçka, veç nga “zanat” e tij të mrekullueshme: Pilivesat me ngjyrën e zezë në blu, nuk janë pilivesa të zakonshme, ato janë “zanat” që rrinë dhe e mbrojnë atë. Çdo gjë tjetër është si 26 vite më parë: veç një gardhi me dru, pjesërisht i rrëzuar, që rrethon Syrin dhe dy kioskave me bluze e sende të stampuara, merimangat e varura kudo dhe rruga e lënë pa kujdes dhe tërë pluhur tregon se nuk është gjendur një njeri që ta dashurojë me gjithë shpirt e të kujdeset siç duhet për këtë vend kaq të bukur.

Kur ndonjë privat ka gjetur dhe ka bërë të tijin një gji, një kodër, një pllajë e ka shfrytëzuar deri në pikën e fundit të “gjakut”. I ka marrë gjithçka. Kur bukuritë janë të të gjithëve, ndjehet braktisja dhe nënvleftësimi ndaj tyre. Kështu ose të kërcënuara nga ndërtime gjigande dhe frymëmarrëse, ose të braktisura nga indiferenca, bukuritë e tokës që aq ëmbël i këndoi poeti ynë Kombëtar Naim Frashëri, janë sot në vështirësi.

Pema e brishtë e piperit, të cilën agronomi Ahmet Osja dhe arkeologu e shkrimtari Moikom Zeqo, thonë se e mbolli Naim Frashëri 145 vite më parë në Sarandë, është ajo që i përmbledh të gjitha sa shkruaj: Ndërsa rruspat gjigande po ndërtojnë (dhe për një vit me siguri do të mbarojnë) bulevardin e bukur “Naim Frashëri”, pema e tij, nga e cila nuk fiton askush veç Natyrës, qytetit të Sarandës dhe Gjithësisë,është lënë në një vend e braktisur, me papastërti përreth, me gozhda të ngulura në trup dhe për më shumë, përballë banjove publike. Eshtë vetëm një pemë, një pemë e vjetër dhe e brishtë piperi, që flet e sidomos, pret shumë nga ne. Deri atëherë, shpresoj dhe uroj që Shqipëria e bukur të mos jetë vetëm ajo e fotove në rrjetet sociale, apo e optimisteve si unë që, sido që të jetë, do të shohin vetëm të bukurën. Shqiptarja.com

Related Posts

Turpi ynë shtetëror… Polakët përdhosën Skënderbeun, shqiptarët burgosin shqiptarët
Blog

Turpi ynë shtetëror… Polakët përdhosën Skënderbeun, shqiptarët burgosin shqiptarët

30/08/2025
Skandalet/ Qeveria ka gati shkrirjen e AKU-së
Blog

Qytetarët e duan AKU-në në terren, jo në banka provimi !

29/08/2025
E vërteta që rrëzon mitin, teksa propaganda britanike vijon kundër shqiptarëve
Blog

E vërteta që rrëzon mitin, teksa propaganda britanike vijon kundër shqiptarëve

29/08/2025
Edi Rama rrëfen ditën kur e goditën me levë
Blog

Qeveria “Rama 4”, do të bëhet me “ish-demokratë”?

27/08/2025
Gazetari italian: Shqipëria turistike, një mit që duhet rrëzuar!
Blog

Gazetari italian: Shqipëria turistike, një mit që duhet rrëzuar!

26/08/2025
Edi Rama rrëfen ditën kur e goditën me levë
Blog

Ministrat e rinj? Mandati i katërt i Ramës s’është për socialistët, është për Europën

25/08/2025

Argjiroja.net është një media online e pavarur, që informon me profesionalizëm dhe shpejtësi lexuesit. Në vëmendjen tonë të veçantë janë kryesisht ngjarjet në jug të Shqipërisë, por edhe zhvillime të tjera të rëndësishme brenda e jashtë vendit.
Argjiroja.net është pjesë e NaN Studio Sh.P.K me NIPT M02012001P

Për marketing dhe çdo informacion tjetër na shkruani në adresën [email protected] ose në WhatsApp në numrin 069 24 77 431.

Të fundit

“Made in China”/ Noizy tallet me Mozzik për orët luksoze: E du edhe unë një kështu

“Made in China”/ Noizy tallet me Mozzik për orët luksoze: E du edhe unë një kështu

18/09/2025
Vlahoviç njeriu i momentit, por bisedimet për rinovim me Juventus mbeten ende të ngrira

Vlahoviç njeriu i momentit, por bisedimet për rinovim me Juventus mbeten ende të ngrira

18/09/2025
  • Kryesore

© 2023 Argjiroja.net Design by NanStudio.al

Nuk ka rezultate
View All Result
  • Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti

© 2023 Argjiroja.net Design by NanStudio.al