12-vjeçarja Krisanthi Ndrico që ndërroi jetë mbrëmjen e sotme në fshatin Dervician pas zjarrit që ra në banesën ku ajo jetonte me familjen, është viktima e tretë në 12 ditët e fundit në Dropull nga zjarret.
Kujtojmë që me 16 nëntor cifiti i të moshuarve në fshatin Hllomo, Fotini dhe Irakli Panajoti, u dogjën të gjallë në banesën e tyre. Këto dy ngjarje të njëpasnjëshme dhe shumë të rënda, ngrenë pikëpyetje mbi funksionimin e shërbimit zjarrfikës në Dropull.
A është ky shërbim në lartësinë e duhur për t’iu përgjigjur emergjencave të tilla apo thjesht ekziston si strukturë ku janë të punësuar ca njerëz, por që s’i kanë kapacitetet e duhura profesionale? Nëse për fshatin Hllomo ishte distancë e largët për mbërritjen e shërbimit zjarrfikës, për Dervicianin nuk mund të thuhet e njëjta gjë.
3 jetë të humbura në 12 ditë për shkak të zjarrit janë shumë dhe natyrisht që nxjerrin zbuluar faktin e rëndë se shërbimi zjarrfikës në Dropull nuk i ka kapacitetet për të reaguar si duhet në ngjarje të tilla. Nëse s’merren masat në kohë, nuk është cudi të kemi ngjarje të tjera të rënda si këto. Urojmë që jo! ©argjiroja.net