Teksa të gjithë kanë nisur përgatitjet për festat e fundvitit, një informacion shumë i vlefshëm, veçanërisht për ata që do të udhëtojnë apo festojnë jashtë shtëpisë natën e ndërrimit të viteve, është ai i kushteve meteorologjike.
Siç është raportuar ditën e sotme, i gjithë vendi do të pushtohet nga reshjet dhe vranësirat në tre ditët në vijim. Mirëpo, për dy ditët e fundit të 2017-ës, situata do të ndryshojë.
Që prej të shtunës temperaturat do të fillojnë të rriten dhe vranësirat do të zhvendosen, duke bërë që natën e ndërrimit të viteve moti të jetë mjaft i favorshëm. Si në Veri ashtu edhe në Jug të vendit, datat 31 dhjetor dhe 1 janar do të kenë mot me diell, ndërsa në Tiranë, temperaturat maksimale sipas “BBC Weather” në këto dy ditë do të jenë 9 dhe 11 gradë Celsius.