Ish Shtëpia e Oficerave në Gjirokastër, e cila kohë më parë i kaloi Universitetit “Eqrem Çabej” për të vendosur aty Fakultetin Ekonomik, duket se po ndryshon destinacion. Bashkia Gjirokastër ka nisur aty ndërtimin e një këndi lojërash. Por nuk ndalet me kaq. Kryebashkiaku Flamur Golemi thotë se po shihet mundesia që ky objekt t’i kalojë në përdorim bashkisë, për ta vënë në funksion të nevojave të qytetit.
“Po konsiderojmë mundësinë që ky objekt t’i kalojë në përdorim Bashkisë Gjirokastër për ta rivënë në funksion të nevojave të qytetit dhe për të shfrytëzuar çdo hapësirë të tij në dobi të banorëve. Si optimist i pandreqshëm që jam, besoj se do ia dalim mbanë dhe kemi këtu do të kemi shumë shpejt një tjetër kantier”, shkruan në Facebook Golemi.
Këndi i lojërave është hapësira e dytë që po shfrytëzohet nga ky objekt pas vendosjes aty të agjencisë ADISA. Universiteti “Eqrem Çabej” ndonëse e mori këtë objekt të rëndësishëm nuk e shfrytëzoi kurrë, ca nga paaftësia e drejtuesve të tij, ca mbase edhe nga mungesa e fondeve. Dhe në fakt bëri shumë mirë që nuk e shfrytëzoi sepse Universiteti i Gjirokastrës s’ka nevojë për ambiente shtesë. Universiteti duhet rithemeluar dhe reformuar në mënyrë që të jetë konkurrues dhe t’i japë shoqërisë, jo thjesht të lëshojë diploma. Kur universitetit i pakësohen studentët nga viti në vit, ambientet e reja s’kanë asnjë vlerë, janë thjesht tendera nga të cilat qameti kapin ndonjë lekë drejtuesit e tij, por vetëm kaq.
©argjiroja.net