Pasi ngeli jashtë Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Roland Bejko ka marrë një tjetër angazhim në PD. Lulzim Basha gjatë vizitës së fundit në Gjirokastër njoftoi se Bejko do të jetë koordinator për pushtetin vendor dhe decentralizimin në këtë parti.
“Ai do të shërbejë si koordinator për rishikimin e reformës territoriale dhe decentralizimit si dhe do të merret me të gjitha ceshtjet e pushtetit lokal në hartimin e programit të Partisë Demokratike së bashku me një grup të mirë ekspertësh të fushës”, mësohet të ketë thënë Basha.
Por rishikimi i reformës territoriale, në të cilën PD nuk mori pjesë, ka pak gjasa të ndodhë pasi do shumicë të cilësuar në Kuvend. Kjo mund të ndodhë vetëm në rastin kur PD-LSI vijnë në pushtet dhe marrin së bashku të paktën 84 mandate. LSI vetë e ka votuar reformën territoriale gjatë kohës kur ishte në qeveri me PS-në.
Marrja funksionit të koordinatorit për pushtetin vendor dhe decentralizimin në PD, u përfol për Roland Bejkon që në muajin nëntor të vitit 2018 kur ai dha dorëheqjen nga drejtimi i degës së Gjirokastrës.
Më pas në muajin dhejtor, Bejko ishte në listën e kandidatëve për Këshillin Kombëtar bashkë me Altin Çomon, por mbeti jashtë fituesve, shumica e të cilëve ishin paracaktuar nga Basha dhe kupola drejtuese e PD-së.
©argjiroja.net