Gjatë takimit me mjekë dhe ekspertë të shëndetësisë, kryedemokrati Lulzim Basha u shpreh se Shqipëria renditet e treta në botë për numrin e viktimave nga koronavirusi. Sipas tij, kjo ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit të situatës.
Lulzim Basha tha se kryeministri nuk e meritonte vaksinën, por e mori me pretekstin se po e provonte i pari.
“6 mijë vdekje shtesë, që u detyrua ti publikonte edhe INSTAT, muaj pasi i denoncuan profesionistët dhe pasi unë i publikova në emision. Keq menaxhim monstruoz i krizës së epidemisë. Tani është kthyer në një nga truket e preferuara, provokimi i tensioneve mes mjekëve dhe qytetarëve, që po bëjnë një punë vetëmohuese.
Duke pasur parasysh cfarë qeverie kemi, heroizmi i mjekëve është i pakrahasueshëm me këdo tjetër. Jemi të tretët në botë për numrin e viktimave të qytetarëve. Vetë e bëri vaksinën me pretekstin se po e provonte ai i pari, sot do të kishim një mjek më shumë të vaksinuar me vaksinën e pa merituar që bëri Edi Rama. I vetmi që nuk po bën detyrën e tij, e mori i pari vaksinën”, tha Basha.
Kryetari i PD u ndal dhe tek kriza financiare që ka shkaktuar keqmenaxhimi i pandemisë.
“Shqiptarët zhyten në borxhe për të marrë trajtimin anti-COVID. Vetëm këto dy muaj, Rama u dha 2 milion euro inceneratorëve. Shqiptarët dhe mjekët sot kacafyten sepse qeveria e Ramës i ka lënë në mëshirë të fatit. Maqedonia e Veriut po jep paketën e 5-të financiare. Koha për një qeveri që prioritet ka shqiptarët, jo oligarkët. Detyrim i qeverisë të mos gënjejë për numrin e infektimeve dhe vdekjeve”, tha Basha.
Gjatë takimit me ekspertët e shëndetësisë kryetari i PD Basha u bëri thirrje qytetarëve të marrin çdo masë për të mbrojtur veten dhe të afërmit pasi qeveria i ka braktisur.