Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme (e dielë) në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë. Me armë zjarri automatik është ekzekutuar Briken Sanaj 39 vjeç nga Lezha. Mësohet se vrasja është kryer me armë kallashnikov, ndërkohë që uniformat blu kanë gjetur edhe gëzhoja në vendngjarje. Më poshtë njoftimi i policisë për ngjarjen.
Tiranë/Informacion parapak
Më datë 30.10.2022, te Kodra e Diellit, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar me armë zjarri shtetasi B. S., rreth 39 vjeç, i cili ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë krehjen e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Janë shoqëruar disa persona në Polici. Në Qafë Kashar, në afërsi të një biznesi pllakash, është gjetur duke u djegur, një automjet. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për fiksimin e çdo prove të vlefshme që mund të çojë në identifikimin e autorëve.