“Ne nuk do ta humbasim traditën dhe festivalin do ja sjellim publikut me gjithë madhështinë e tij. Festivali Folklorik do të zhvillohet në pranverën e 2021. Ju presim në Gjirokastër”. Kështu shkruante ministrja e Kulturës, Elva Margariti në qershor të vitit 2020 në një postim në faqen e saj në Facebook. Por kur ka kaluar jo vetëm pranvera, por edhe vera e kemi hyrë në vjeshtë të vitit 2021, Festivali Folklorik i Gjirokastrës nuk është zhvilluar. Askush nuk flet më për këtë ngjarje të madhe kulturore që për herë të fundit u organizua në vitin 2015.
Fillimisht ka qenë si rregull që festivali organizohej çdo katër vite. Pastaj u bë çdo pesë vite. Sot për pak muaj hyjmë në vitin e shtatë që ky festival nuk po zhvillohet. Shtyrja e festivalit në pranverë të vitit 2021 u justifikua nga problemet e pandemisë së Covid 19 dhe krizën që pësoi vendi nga goditja prej tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Deri më tani nuk flitet nëse Ministria e Kulturës ka ndërmend të organizojë festivalin në pranverën e vitit 2022. A do të parashikohen fonde në buxhetin e shtetit për këtë sofër të madhe të trashëgimisë sonë kulturore sikundër e ka cilësuar vetë ministrja Margariti? Kjo e fundit ishte këto ditë në Gjirokastër ku foli për krijimin e një Task Force me arkitektë dhe restauratorë, të cilët do të realizojnë projektet e ndërhyrjes në lagjen ‘Pazar i Vjetër’, ‘Dunavat’ dhe ‘Manalat’.
As gazetarët që i drejtuan mikrofonat gjatë prononcimit të saj nuk e pyetin se çfarë do të bëhet me Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Lënia mënjanë e kësaj ngjarje të madhe kulturore dhe zëvendësimi me evente më të vogla, që shpesh janë edhe sajesa për të justifikuar projektet e OJF-ve dhe fondacioneve të ndryshme, nuk është kurrsesi një lajm i mirë për kulturën tonë kombëtare. ©argjiroja.net