Shqipëria nuk ka bërë hapa pas në integrimin e vendit, por duhet të plotësoj sërish kushte, që nuk varen nga asnjë shtet veç saj. Kështu tha nga Elbasani, ambasadorja e re franceze në vendin tonë Elisabeth Barsacq, ndërsa deklaroi se hapja e negociatave nuk varet nga Franca, Kroacia apo Polonia, por nga vetë Shqipëria dhe se sa ajo avancon përpara në kushtet që i janë vendosur.
“Duhet ta keni të gjithë parasysh se në mars të këtij viti Këshilli Europian ka vendosur që negociatat me Shqipërinë do të hapen. Ajo që po bëjmë tani është se po shohim si do të negociohet në të ardhmen. Nuk ka hapa prapa sepse ne jemi gjithmonë të mendimit se duhet të hapen negociatat. Siç e dini mirë ka kushte për të plotësuar. Kjo nuk varet as nga Franca Kroacia apo Polonia por nga Shqipëria. Puna ime këtu dhe e të gjithë ambasadorëve të Be në Shqipëri është të punojmë se bashku për të ndihmuar Shqipërinë t’ia arrijë qëllimit”, tha ambasadorja.
Ajo gjithashtu kujtoi momentin kur mori detyrën në Francë dhe qëllimin me të cilin u nis për në Shqipëri.
“S’kam ndërmend të kritikoj as punën e paraardhëse dhe as të politikës shqiptare. Kur isha në Paris dhe po informohesha i thashë vetes time se do bëj çdo gjë që një ditë Shqipëria të jetë pjesë e BE. Por edhe Shqipëria duhet të bëjë detyrën e vetë. Kjo është detyra që i vura vetes dhe mesazhi që më dhanë si ambasadore ishte: Shko atje dhe bëj ç’është e mundur që Shqipëria të jetë pjesë e BE”, tha Elisabeth Barsacq.