Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka deklaruar se maska në ambientet e mbyllura duhet të mbahet me detyrim, në mënyrë që të frenohet përhapja e COVID 19.
“Po është diskutuar para 3 ditësh në mbledhjen e komitetit. Tani janë liruar masat, është hapur edhe transporti publik. Po diskutohet se ka studime të fundit që virusi qëndron edhe në ajër, këto nuk janë vërtetuar, por ne të gjithë e kemi dhënë rekomandimin për mbajtjen e maskës. Studimet tregojnë që në plastikë virusi qëndron deri në 72 orë.
Nuk është plazhi, uji që të infekton, por ambienti i mbyllur ku mund të qëndrosh. Maska dhe doreza ka qenë e rekomanduar, jo e detyruar.
Duke parë kushtet e të nxehtit që askush nuk i ndërron dorezat kur shërben, edhe po t’i dezinfektosh asaj nuk i bëhet 100% dezinfektim ne kemi rekomanduar se është më e rrezikshme mbajtja e tyre se sa mos mbajtja e dorezave.
Maska duhet të bëhet detyrim ,të mbron 70%, kurse dorezat jo. Po të zbatohen këto masa që themi për 3 javë do kemi rënie deri në 60% të infektimeve…”, tha Brataj për “News 24”.
Ai theksoi më tej se aktualisht ka shumë të infektuar me COVID-19, të cilët janë moshë e re. Sipas tij në fund të korrikut dhe gushtit do shkojnë në spitale prindërit dhe gjyshërit e tyre, do të jetë me shumë rrezik.
“Në këtë moment kemi më shumë të infektuar të rinj. Mosrespektimi i masave në këto mosha është në maksimum. Më shqetëson kjo gje, sepse këtë transmetim po e çojnë në familje, tek me te moshuarit.
Në fund të korrikut dhe gushtit do të na paraqiten prindërit dhe gjyshërit e tyre, do të jetë me shumë rrezik”, tha Brataj.