AKU Gjirokastër nuk e humbi as rastin e sotëm për të treguar që është një insitucion i cili vepron me standarde të dyfishta dhe gati kriminale. Natyrisht që kjo bëhet në koordinim me AKU-në qëndrore. Në media u shpërnda një njoftim për bllokimin e një baxhoje që nuk plotësonte kushtet higjeno-sanitare. U bënë publike fotot, emri i pronarit Edmond Zyba, si dhe gjoba prej 3 milionë lekë të vjetra.
Më 9 gusht në Kakavijë, AKU Gjirokastër bllokoi 27 tonë miell, i cili dyshohej si produkt jo i sigurt pasi mungonte çertifikata e origjinës së produktit. Në njoftimin e AKU nuk përmendej fare emri i kompanisë apo tregtarit që importonte këtë sasi të madhe mielli. Kështu është vepruar edhe në raste të tjera të bllokimit të tonelatave me mish pule të infektuar me salmonelë. Pra, jemi në kushtet kur AKU vepron ndryshe me tregtarët e vegjël dhe ndryshe me të mëdhenjtë.
Të humburit janë natyrisht konsumatorët. Ne nuk e dimë se cila kompani apo cili tregtar fut në Shqipëri miell të skaduar apo mish pule të kontaminuar. Ne mund të vazhdojmë të blejmë prej tyre, pa e ditur se ata janë subjekte që sjellin në Shqipëri produkte të dyshimta. Ndërkohë nga ana tjetër, kur është fjala për ndonjë tregtar të vogël si Edmond Zyba që u ndalua sot, ndonjë kasap që kapet me thertore të improvizuar apo shitësit ambulantë, AKU bën publik emrat e tyre.
Ajo që kërkon publiku në këtë rast është përdorimi i të njëjtave standarde, si në rastin e të vegjëlve ashtu edhe kur është fjala për të mëdhenjtë. Nuk është qëllimi të linçojmë këto subjekte, por të dimë që të mos konsumojmë produktet e tyre. AKU nuk mund të vazhdojë të jetë palë me këto biznese kriminale, që po na vrasin përmes ushqimeve të dyshimta. Deri më tani AKU, përfshi këtu edhe AKU Gjirokastër, na kanë treguar se janë bashkë me bizneset që helmojnë shqiptarët nëpërmjet produkteve të skaduara.
© ArgjiroLajm.net