Kryetari i Bashkisë Sarandë, Adrian Gurma, duket se ka marrë konfirmimin se do të rikandidojë për një mandat të dytë në zgjedhjet e 14 majit dhe prandaj ka nisur fushatën. Së fundi ka zhvilluar një takim me një grup qytetarësh, të cilëve u kujdes disa herë t’u thoshte të jenë të shpenguar sepse aty ishin mbleshur “për një kafe mes miqsh” ndonëse aty ishin jo krejt rastësisht edhe kamera që po xhironin. Megjithatë ky nuk është ndonjë problem dhe as mëkat. Gjatë diskutimit kryebashkiaku i rezervoi vetes autorësinë e një slogani për Sarandën dhe që siç tha ai e kanë kopjuar edhe qytete të tjera. Bëhet fjalë për sloganin “Eja në Sarandë”.
“Slogani ‘eja në Sarandë’, unë e them me shumë krenari, është kopjuar edhe nga qytete të tjera. E pashë edhe në faqen zyrtare të një bashkie tjetër. Nuk po e them qytetin, por jam krenar që na kanë kopjuar. Pra Saranda është bërë markë”, tha Adrian Gurma gjatë takimit, ku normalisht nuk pritej ta kundërshtonte njeri.
Përkundër asaj që thotë Gurma, “Eja në Sarandë” në fakt është një ftesë e thjeshtë që kushdo e bën për qytetin e vet, për fshatin e vet, për shtëpinë e vet, për biznesin e vet etj etj… Kurrsesi nuk mund të konsiderohet si slogan, si shpikje gjeniale dhe e jo më kulmi i kreativitetit për të cilin kryetari i Sarandës ndihet madje krenar që e kanë kopjuar të tjerët. Këtej e tutje nëse shihni apo dëgjoni diku ndonjë ftesë të tipit “Eja në Korçë”, “Eja në Shëngjin”, “Eja në Milano” apo “Eja në Barcelona”… me siguri që do e kenë kopjuar nga slogani “gjenial” i Adrian Gurmës. Shihni më poshtë videon teksa ai e tregon këtë moment si triumf të vetin. ©argjiroja.net