Ish-diplomatja Pranvera Skana i ka dalë në mbrojtje ministres Etilda Gjonaj, një ditë pasi kësaj të fundit iu publikuan faturat e kripura të udhëtimeve luksoze.
Në një status në rrjetet sociale, Skana shprehet se Gjonaj s’ka pse të ndihet në siklet për fjetjen në hotele luksoze. Ajo thekson më tej se një minister duhet të ndihet e sigurtë dhe gjithashtu meriton një pritje dinjitoze.
Por më tej në shkrimin e saj, Pranvera shkruan e mbrojtja që bëri Gjonaj pas publikimit të faturave ishte e dobët dhe e kompleksuar.
Reagimi i Pranvera Skanës
Etilda mos u komplekso! …. Eshte krejt normale që të qendrosh në një hotel dinjitoz…. E jo te akomodohesh në skutliqet e botes!
Së pari ky është një standart sigurie, që ta kërkon edhe shteti pritës.
Së dyti për arsye kohore, axhenda e një ministri është intensive dhe askush nuk mund të akomodohet në një HOTEL në periferi në një zonë të 6 të Londrës qe merr dy orë me tren për të mbërritur në qendër aty ku janë të vendosura institucionet për takimet, me dhe pa trafikun e çmendur të këtyre metropoleve.
Se treti cdo politikan edhe ai shqiptar meriton një përfaqësim dinjitoz në vendin pritës e jo te endet neper skutliqe.
Së katërti, mbrojta publike që ju bëtë ishte shumë e dobët, ose më saktë këshilltarët tuaj të komunikimit ishin të dobët.
Së pesti, je një ministre që përfaqëson shumë mirë Shqipërinë jashtë dhe kjo ka më shumë rëndësi, për këtë i referohem vizitës tuaj të fundit në Londër në kohën që unë punoja atje.
Dy ditë më parë, u publikuan faturat e rezervimeve ku ministrja Etilda Gjonaj ka shkuar përgjatë vitit 2018. Nga Roma, në Londër, Paris e Bruksel, Gjonaj ka harxhuar rreth 700 euro nata për t’u akomoduar në hotelet më luksoze.
Në një reagim në rrjetet sociale, ministrja u shpreh se këto denoncime nuk janë korrekte, pasi shpenzimet kanë qenë për të gjithë delegacionin dhe se është ngritur një grup auditi për të bërë verifikimet përkatëse.