Afati i aplikimit për kryetarët e rinj të PS është shtyrë deri më datë 31 maj. Për drejtimin e socialistëve në Bashkinë Gjirokastër mësohet se deri më tani janë së paku 4 kandidatura. Tre emra janë propozuar nga anëtarët e asamblesë lokale të PS dhe një tjetër është vetëofruar përmes aplikimit online. Ilir Metaj, Mihare Lapa dhe Gentian Llogo janë propozuar nga anëtarët e asamblesë së PS Gjirokastër.
Ndërkohë online mësohet se ka dërguar aplikim Magdalena Margariti. Por çfarë përfaqësojnë këta emra? Gentian Llogo është kryetari aktual i PS Gjirokastër. Ai është komanduar në këtë detyrë prej shtatorit 2020. Ilir Metaj deri në shtator 2021 ka qenë drejtues i OSHEE. Mihare Lapa është punonjëse e Drejtorisë Rajonale të Formimit Profesional Gjirokastër. Magdalena Margariti prej rreth 7 vitesh drejton Drejtorinë Rajonale të Shërbimin Social Shtetëror. Derisa të përmbyllet procesi më 31 maj me siguri që mund të ketë aplikime të tjera.
Por çfarë dihet me siguri është që zgjedhje nuk do të ketë. Parimi një anëtar një votë ka rënë. Kësaj radhe aplikantët do të paraqesin një platformë në asamblenë lokale. Dy emra që do të dalin nga asambleja shkojnë më pas për miratim në Kryesinë e PS, ku normalisht rol deçiziv do të ketë drejtuesi i qarkut për të përzgjedhur fituesin. ©argjiroja.net