Luftëtari është i gjithë i “ngrirë”. Largimet kanë pasuar njëra-tjetrën, ndërsa për afrime ende nuk po flitet. Edhe pse e kanë mbyllur marrëveshjen me ganezin Majkëll Olaitan, një lojtar në hyrje, është shumë pak krahasuar me 12 në dalje.
Të vendosur në këtë situatë, drejtuesve dhe trajnerit të ri (i cili gjithashtu nuk dihet se kush do të jetë) u mbetet për detyrë që të ribëjnë një “formacion” të tërë. Dashur pa dashur, pak a shumë kaq futbollistët pritet që të afrohen në ekip për të kompensuar rrjedhjet e mëdha. Dhe duhet thënë se bëhet fjalë për titullarë me peshë të bluzinjve dhe jo emra dosido. Ajo që shqetëson më së shumti është heshtja e presidencës. Askush nuk ka thënë as një gjysmë fjale gjatë kësaj periudhe, edhe pse shumica e lojtarëve u kanë ikur.
Një heshtje kjo që të krijon përshtypjen se drejtuesit gjirokastritë janë… “zhdukur”. E megjithatë, zërat që flasin për nisjen e fazës përgatitore më 15 korrik japin një lloj shprese. Dhe nëse axhenda nuk ndryshon, deri në atë afat diçka do të lëvizë te Luftëtari sa i përket trajnerit dhe merkatos. Një lloj qetësie krijohet edhe kur sheh listën e atyre që janë nën kontratë. Zyrtarisht, pjesë e bluzinjve janë Aurel Demo, Maldin Ymeraj, Donald Rapo, Donaldo Açka, Armenis Kukaj, Angelos Hanti, Erald Hyseni, Aldrit Oshafi, Realdo Fili dhe Elian Çelaj. Në këtë listë mund të përfshihen edhe Dimitris Koconis e Ismael Dunga, por rasti i tyre është disi më specifik.
Marrëveshja që pati firmosur verën e shkuar mbrojtësi grek ka qenë me opsion rinovimi dhe në parim thuhet se palët e kanë gjetur akordin. Por, derisa nuk ka firmë, vend për garanci kurrë s’ka. Nga ana tjetër, sulmuesi pretendon se ka hedhur në FIFA klubin dhe ka dalë i lirë. Ndërsa, te Luftëtari mendojnë ndryshe dhe i qëndrojnë faktit që keniani ka edhe dy vite të tjera kontratë. Një “rebus” ky që do të zgjidhet vetëm në vazhdim.