Prefekti i qarkut Gjirokastër Astrit Aliaj zhvilloi ditën e sotme një takim pune me drejtuesit e institucioneve shtetërore në nivel vendor në kuadër të marrjes së masave paraprake për mbarëvajtjen e zgjedhjeve vendore të datës 30 qershor.
Në këtë takim morën pjesë drejtori i Drejtorisë së policisë Gjirokastër Perlat Vatoci, drejtori i Drejtorisë Vendore të OSHEE-së Robert Lili, drejtoresha e ISKSh -së Gjirokastër Anxhela Hoxha, drejtori i njësisë vendore të kujdesit shëndetësor Gjirokastër Shpëtim Novi, si dhe përfaqësues të degëve territoriale nga bashkia e Përmetit dhe Tepelenës.
Në fjalën e tij, prefekti i qarkut pasqyroi masat që ka marrë institucioni në zbatim të detyrimeve që janë të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, të tilla si: përcaktimin e ambienteve dhe pajisjen me bazë materiale të zyrave Rajonale Zgjedhore për Qarkun Gjirokastër.
Prefekti i Qarkut kërkoi nga të gjitha strukturat përkatëse marrjen e masave të nevojshme duke vijuar si më poshtë:
Nga ana e Drejtorisë Vendore e Policisë Gjirokastër së bashku me Komisariatet në të gjithë qarkun të ushtrohet me përpikmëri të gjitha detyrimet ligjore në lidhje me procesin zgjedhor dhe të shmangë çdo formë presioni apo provokimi nga persona apo grupe të caktuara që mund të tentojnë të prishin rendin apo të cenojnë procesin zgjedhor.
Zyrave Vendore Arsimore Gjirokastër, Tepelenë, Përmet do të orientojnë drejtoritë e shkollave të caktuara si Qendra Votimi për të bashkëpunuar në dorëzimin e ambienteve sipas kërkesave të ligjit Komisioneve të QV-së.
Drejtorisë Rajonale dhe atyre vendore të OSHEE do të merren masa për mirëmbajtjen e sistemit dhe furnizimin e energjisë të pandërprerë në të gjithë qarkun për zhvillimin normal të procesit zgjedhor dhe jetës normale të qytetarëve.
Nga ana e Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet të merren masa për shërbimin shëndetësor nisur dhe nga temperaturat e larta të këtyre ditëve si dhe të mbajnë në gatishmëri ambientet në administrim të tyre nëse do të kërkohen të vihen në dispozicion të procesit zgjedhor.
Në përfundim të fjalës, prefekti theksoi se do të ndjekë dhe do të monitorojë në vazhdimësi veprimtarinë e institucioneve për të garantuar zhvillimin e një procesi normal zgjedhor.