Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi ka komentuar procesin zgjedhor të 30 Qershorit. Patozi theksoi në studion e “Top Talk” se Bindja Demokratike humbi vëmendjen pas zhdekretimit të zgjedhjeve nga presidenti Ilir Meta. Sipas Patozit, vëmendja ra sepse zgjedhësit po mendonin një betejë për jetë a vdekje mes atyre që dëshironin zgjedhje dhe atyre që nuk i dëshironin ato.
Patozi deklaroi se në këto zgjedhje fitoi Shqipëria.
“Mendonim se mund të kishim zgjedhje më të mira, por në kushtet e krijuara, sidomos pas zhdekretimit të zgjedhjeve, klima u zhvillua në një tension shumë të madh mes palëve ndërluftuesve dhe vëmendja për BD ra. Ra, sepse askush nuk dëgjoi më për alternativa, për diçka të re, apo program kandidatësh. Gjithçka u përjetua si një betejë për jetë a vdekje, mes atyre që dëshironin zgjedhje dhe atyre që donin të mos kishte zgjedhje. Ajo që mund të them është se ne, mund të jemi të pakënaqur me rezultatin, sepse mendonim më shumë, por jam i bindur që Shqipëria fitoi nga këto zgjedhje. Humbja e BD është fare e vogël me produktin e Shqipërisë dhe jo e atyre që brohorasin për fitore”,-u shpreh Patozi.