Kryetari i Republikës së Re, Lulzim Basha, ishte dje në deklaratën e tij mjaft i lexueshëm, tepër disfatist, dhe dukej se e kishte kuptuar që kishte çuar në rrugë pa krye Partinë Demokratike dhe opozitën me aksionin e tij të muajve të fundit.
Jo sepse protestonte dhe jo sepse denonconte, por sepse dogji mandatet dhe sepse nuk u fut në zgjedhje. Për këto aktet e fundit pati ndërkombëtarët kundër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumë vende të tjera aleate.
Në fakt, në sqarimin e djeshëm dhe nga burimet zyrtare të CNA.al është mësuar strategjia, çfarë do të bëjë Lulzim Basha, dhe çfarë do të bëjë ai të hënën.
Qëllimi i tij është që pjesëmarrja të jetë e ulët. Kuptohet që kur forcat kryesore opozitare nuk marrin pjesë, nuk duket se do të ketë ndonjë pjesëmarrje të madhe.
Nga statistikat zgjedhore duket se mesatarisht në Shqipëri, në zgjedhjet e fundit kanë votuar rreth 1,4 deri në 1,5 milionë zgjedhës. Ç’ka do të thotë se Lulzim Basha shpreson që në këto zgjedhje të jetë shumë më pak se gjysma e tyre dhe më pas të shpallë fitoren e tij, duke thënë se fundi i Ramës ishte vërtetuar, ai dhe aleatët janë shumicë pasi nuk kanë votuar më shumë se kaq apo aq mijë zgjedhës dhe se shumica e tyre 30, 50 apo 60 % e totalit të zgjedhësve nuk kanë votuar, sepse kanë braktisur Ramën dhe kjo është votë kundër tij.
Pra, lëvizja e parë e Lulzim Bashës do të jetë denoncimi i pjesëmarrjes, duke e quajtur pjesëmarrjen e ulët si fitore të tij dhe se shumica e shqiptarëve e mbështesin atë dhe lëvizjen opozitare.
Hapi i dytë i tij dhe artikulimit të tij politik do të ishte kërkesa për zgjedhje të parakohshme pas Reformës Zgjedhore.
Kreu i PD-së, duke njoftuar në artikulimin e tij politik nuk e ka përdorur kurrë termin “zgjedhje të parakohshme”, por është shprehur për qeveri tranzitore që garantonte zgjedhjet.
Në fakt, të njëjtën retorikë pritet ta bëjë sërish, duke kërkuar një qeveri tranzitore që do të garantonte zgjedhje të parakohshme, pasi sipas tij shqiptarët në shumicë nuk e kishin votuar, kishin braktisur Edi Ramën, kishin braktisur shumicën qeveritare, dhe se shumica e qytetarëve donte të votonte për një alternativë të re e cila është, ai dhe koalicioni i tij me Monikën.
Këto janë dy lëvizjet e së hënës, dy artikulimet publike të Lulzim Bashës nga shpallja e fitores për shkak të pjesëmarrjes së ulët në votime dhe kërkesa për zgjedhje të parakohshme./ CNA.al