Zbardhet letra, Tritan Shehu i shkruan Golikut të Tepelenës

I dashur Golik,

Unë që po të shkruaj jam Tritan Shehu, deputeti i Partisë Demokratike në qarkun Gjirokastër. Jam i detyruar të të shkruaj këtë letër nisur nga ajo që ndodhi në darkën për 75 Vjetorin e Çlirimit të Tepelenës. E di që mund të jesh mërzitur pak me mua, se ti s’ke as moshë të përgojohesh lart e poshtë nëpër portale apo Facebook. Një mjeshtër i madh si ti meriton të përmendet për mirë në çdo rast. Por kësaj here ma bëj hallall, se nuk kisha nga t’ja mbaja. Unë isha i detyruar të reagoja për videon ku ti dhe Tërmeti këndonit për Enver Hoxhën. Ma la porosi të veçantë Luli dhe doktor Berisha meqë jam deputeti i vetëm në qark. Në fillim refuzova sepse siç dihet unë kam një foto me Enver Hoxhën dhe Ramiz Alinë atëhere kur isha në gjimnaz.

Këtë foto ma përflasin shpesh sa herë unë them diçka që ka lidhje me diktaturën apo Enver Hoxhën. Siklet i madh, ç’të të them, më keq se ajo puna e preshit në Lushnje. Por unë ndihem krenar për atë foto. Po ta shikosh me vëmendje isha edhe fare pranë udhëheqësit. Ehh… mor Golik, burra si Enveri nuk i vijnë më këtij vendi. I peshonte fjala! Për reagimin isha i detyruar, nuk kisha nga t’ja mbaja, prandaj kërkova shkarkimin e Tërmet Peçit. Kuptohet që nuk e kisha seriozisht, as që më shkon në mendje. Por të jem i sinqertë, Tërmeti na ka krijuar jo pak telashe edhe brenda partisë.

Tani për zgjedhjet lokale, nuk po gjejmë dot kandidat përballë tij. Askush nuk pranon nga PD-ja të garojë me ‘Xhekun’, siç i thërrisni ju aty. Megjithatë kjo s’ka rëndësi, në çdo rast ne e kemi të humbur Tepelenën si PD, nuk e fitojmë dot sa të jetë Tërmeti. Shiko tani si e kam hallin. Dua të të lë edhe një porosi të veçantë, që besoj se do ta çosh deri në fund. Kryetarit tonë, Lulit domethënë, kemi menduar që t’i bëjmë një këngë labçe, për t’i dhënë zemër para fushatës elektorale të vitit të ardhshëm. Kush më mirë sesa ti do ta bënte dhe interpretonte një këngë të tillë? Unë nuk njoh mjeshtër tjetër më të madh të polifonisë.

Nuk ka problem për pagesën. Ne si grup parlamentar jemi gati të paguajmë aq sa ti kërkon. Madje edhe unë vetë mund t’i paguaj të gjitha. Pastaj mos harro edhe një fakt tjetër, Lulin e kemi dhëndër në Tepelenë. I takon dyfish një këngë si ato që ti i ke bërë Enverit. Veç të lutem, duhet të jetë një tekst që t’i ngjethë mishin çdo demokrati, biles edhe vetë socialistëve. Për interpretimin s’ta kam merakun hiç sepse e di vetë ti. Këngën duhet ta kemi gati diku nga fundi i këtij viti. Nuk ka asnjë problem nëse bashkë me ty këndon edhe Paro.

Njësoj siç i kënduat Enverit në Pallatin e Sportit të Gjirokastrës do t’i këndoni edhe Lulit, por jo në palestrën e re ku Tërmeti ka pikturuar Edi Ramën. Do gjëjmë një vend tjetër më të përshtatshëm. Deri atëherë kemi kohë. E rëndësishme është që ju të nisni menjëherë nga puna. Tani po e mbyll ketë letër, duke të kërkuar edhe njëherë ndjesë për deklaratat që bëra. Unë s’kam asgjë me ty. As me Tërmetin dhe sigurisht as me Enverin apo ata që i këndojnë këngë. Fundja, burrat si ai i meritojnë këngët! Të lutem mos më harro për këngën e Lulit. Do të mbetemi në kontakt.

Sinqerisht,

Tritan Shehu

Shënim: Kjo është një letër e supozuar prej nesh. Deputeti Tritan Shehu nuk ka shkruar vërtet diçka të tillë. Ne menduam t’i jepnim pak nota humori debatit që plasi të dielën pas incidentit në darkën e 75 Vjetorit të Çlirimit të Tepelenës. Besojmë se për këtë e kemi edhe mirëkuptimin e zotit Shehu dhe kujtdo tjetër që e ka lexuar këtë letër të hamendësuar.