Pak pasi ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro i bëri thirrje Bashkisë Gjirokastër, për të penguar qarkullimin e mjeteve të tonazhit të rëndë në zonën e pazarit, në mënyrë që të mos dëmtohen kalldrëmet e restauruara, ka reaguar bashkia përmes një deklarate.
Dukshëm është një deklaratë me tona të larta dhe me nervozizëm brenda, ndonëse Kumbaro nuk përmendet nominalisht. Bashkia Gjirokastër i referohet ish-ministres si ‘njeri me fiksime’ dhe që përpiqet të bëjë pingpong. Më tej sqaron se nuk është policia bashkiake që ndalon mjetet e tonazhit të rëndë të qarkullojnë mbi kalldrëmet e ndërtuara rishtaz, por, është mungesa e zbatimit të ligjit nga kompania zbatuese e punimeve, si subjekti përgjegjës për sigurimin e punimeve në objekt.
Më poshtë deklarata e plotë e Bashkisë Gjirokastër.
Për Gjirokastrën mbi të tëra! Kjo duhet të na bashkojë. 🤝 – sqarojmë se : Bashkia e Gjirokastrës, strukturat e saj të Urbanistikës, Policisë bashkiake, Turizimit, Kulturës dhe Trashëgimisë, janë angazhuar totalisht për te bashkëpunuar dhe ndihmuar në realizimin me sukses të projektit: “Rehabilitimi i infrastrukturës dhe restaurimi kalldrëmeve në pazarin e Gjirokastrës”.
Bashkëpunimi ynë si institucion i qeverisjes vendore, ka nisur qysh në fazën e projekt-idesë, procesin e miratimit dhe vazhdon intensivisht edhe tani në procesin e zbatimit të këtij projekti qe merr vlera të jashtëzakonshme për qytetin tonë.
Për merak të atyre “me fiksime”, ne si bashki kemi bashkëpunuar dhe bashkëpunojmë: çdo ditë, çdo orë, dhe çdo minutë me firmën zbatuese, me supervizimin me ustallarët, me komunitetin, me tregëtarët dhe artizanët e pazarit, me operatorët turistikë, hotelerinë si dhe shoqërinë e shërbimit të transportit publik brenda qytetit.
Tani së fundi, na duhet të sqarojmë se, nuk është policia bashkiake që lejon makinat e tonazheve të rënda të qarkullojnë mbi kalldrëmet e ndërtuara rishtaz, por, është mungesa e zbatimit të ligjit nga kompania zbatuese e punimeve, si subjekti përgjegjës për sigurimin e punimeve në objekt.
Bashkia e Gjirokastrës me kërkesë të kompanisë ka bërë njoftimin publik në kohë për komunitetin, si dhe bizneset, për bllokimin e trafikut në zonën ku kryhen punimet. Policia bashkiake dhe specialistët e shërbimeve kanë krijuar itineraret e reja të lëvizjes së automjeteve për të mos ndodhur ajo që po pretendohet se ka ndodhur.
Bashkia e Gjirokastrës prej vitesh po punon me qeverinë, donatorët, komunitetin dhe gjithë faktorët e tjerë për të transformuar zonën e pazarit në zonë pedonale të paqarkullueshme nga automjetet, duke rekomanduar zgjidhje alternative, zgjidhje të cilat flenë në sirtaret e Ministrisë së Kulturës, ndërkohë që duhet të implementoheshin përpara ose njëkohësisht me restaurimin e Qendrës Historike.
Për të shuar sëkëllditë dhe meraqet e të gjithë atyre që përpiqen të bëjnë pingpong, specialistët e zyrës së Urbanistikës së bashkisë po ndjekin hap pas hapi, gur pas guri, orë pas ore, ecurinë e këtij projekti, të cilin e vlerësojmë si një nga ndërhyrjet më të nevojshme në Qendrën historike për zhvillimin ekonomik të saj, si dhe rritjen e standartit të shërbimeve të turizmit.
Shqetësimi ynë për cilësinë e shtrimit të kalldrëmeve na ka mbledhur jo pak herë me kompaninë e zbatimit, supervizimit, Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe DRKK për t’u parë me seriozitetin e duhur puna për cilësinë dhe respektimin e një sërë kushtesh për të patur një kalldrëm cilësor i cili duhet të ruajë vlerat e trashëgimisë kulturore dhe rekomandimet e UNESCO-s.
Jemi tërësisht të angazhuar dhe bashkëpunues për të ndihmuar realizimin në kohë dhe me cilësi të këtij projekti dhe ftojmë këdo që paragjykon nga rrjetet sociale, të vijë e të shikojë atë çka bashkia e Gjirokastrës ka bërë dhe po bën për realizimin me sukses të këtij projekti.