Kryebashkiakja e Gjirokastrës, Zamira Rami, është tërhequr nga kërkesa e saj drejtuar qeverisë për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Të paktën kjo kuptohet nga një njoftim i bashkisë, e cila thotë se ka nisur puna për zbatimin e rekomandimeve të lëna nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, për stabilizimin e zonës ku ndodhi rrëshqitja në lagjen “Kodër e Shtufit”.
“Pas ndërhyrjes së parë për disilpinimin e ujrave sipërfaqësorë, specialistët vijojnë punimet në terren. Shpime gjeologjike dhe analiza laboratorike u kryen në disa pika për të patur garanci dhe siguri në ndërhyrjet që janë parashikuar. Rehabilitimi i zonës dhe normalizimi i situatës janë prioriteti i punës sonë. Falë angazhimit maksimal, do të ofrohet zgjidhje për shqetësimet e banorëve dhe siguri për jetët e tyre. Cdo ditë në punë, çdo moment pranë komunitetit!”, thuhet në njoftimin e Bashkisë Gjirokastër.
Kërkesa për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme u bë nga kryebashkiakja e Gjirokastrës disa javë më parë, por qeveria e refuzoi sepse ishte konstatuar që situata e krijuar ishte për shkak të neglizhencës së bashkisë. Më pas u tentua që përmes një peticioni të këshilltarëve të PD-së dhe LSI-së të detyrohej qeveria ta shpallte këtë gjendje. Por edhe këtë herë një kërkesë e tillë u refuzua.
©ArgjiroLajm.net