Kryetarja e Bashkisë Gjirokastër, Zamira Rami, ka pranuar me zë dhe figurë të vetëdiskreditohet para gjithë opinionit publik për çështjen e diplomës false të Rigels Maliles, një punonjësi të bashkisë dhe ish-zyrtar i Klubit Luftëtari. Sonte në emisionin ‘Stop’ Zamira Rami na prezantoi alibinë tjetër të skandalit. Ajo tha se Rigels Malile nuk është paguar asnjëherë si punonjës me shkollë të lartë. Zamira Rami gënjen dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme në të gjitha listpagesat e bashkisë Gjirokastër, të Klubit Luftëtari dhe të Tv Gjirokastra.
E sikur të mos mjaftonte kjo gënjeshtër e saj, Zamira Rami bën një tjetër gafë. Thotë se për të respektuar pretendimin e emisionit ‘Stop’ e ka larguar nga puna Rigels Malilen. Pra, sipas saj nuk është e vërtetë që Rigels Malile ka falsifikuar diplomën dhe që është paguar si punonjës me shkollë të lartë, por për t’i bërë qejfin emisionit ‘Stop’, ajo e ka shkarkuar nga puna. Më qesharake se kaq Zamira nuk ka qenë kurrë. Për fat të keq të saj, ky është një tjetër episod turpi që shenjon 4 vitet e mandatit si kryebashkiake. Pasi refuzoi t’u jepte përgjigje gazetarëve të ‘Stop’, Zamira Rami ka dhënë këtë reagim skandaloz.
“I jemi referuar pretendimit tuaj, kemi kërkuar nga zotëria që të sjellë një vërtetim. Zotëria është në punë si punonjës me shkollë të mesme dhe nuk është paguar asnjëherë si më shkollë të lartë dhe sigurisht që në pretendimin tuaj në lidhje me një librezë që keni paraqitur ju, ai zotëri, në Bashkinë e Gjirokastrës nuk ka paraqitur atë librezë, por një librezë tjetër. Dhe ne, për të respektuar gjithë hulumtimet tuaja, e kemi larguar nga puna me këtë arsye. Në asnjë moment nuk është paguar si punonjës me shkollë të lartë. Sot ky punonjës nuk është më punonjës i Bashkisë së Gjirokastrës, për të respektuar atë që keni pretenduar ju”, është shprehur kryebashkiakja e Gjirokastër.
Ndërkohë Argjirolajm.net e intervistoi Zamira Ramin në muajin dhjetor kur emisioni ‘Stop’ denoncoi fillimisht skandalin. Për asnjë çast Zamira Rami nuk ka thënë se Rigels Malile ishte paguar si punonjës me shkollë të mesme. Ajo as nuk e mohoi dhe as nuk e pohoi se Malile kishte diplomë false. Por tha se ishte në pritje të një vërtetimi prej tij. Sot paturpësisht Zamira Rami i ofroi publikut alibinë se Malile nuk ishte paguar si punonjës me shkollë të lartë.
Sado bashkëpunëtor i afërt të ketë qënë Rigels Malile, sado njeriu i partisë të ketë qenë, Zamira Rami, duhet të refuzonte të vetëdiskreditohej. Të heshtte fare ose të pranonte skandalin e të kërkonte ndjesë. Kjo do të ishte më e ndershme sesa alibia e saj banale që u serviri qytetarëve përmes emisionit ‘Stop’. Por me sa duket kryebashkiakja e Gjirokastrës ‘ka prekur fundin’. Ajo s’e ka problem të bëhet edhe qesharake në sytë e të gjithëve duke gënjyer me zë dhe figurë.
©Argjirolajm.net