Një vjedhje spektakolare ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në Gjirokastër. Tre persona të maskuar thyen dyqanin e kompanisë celulare ‘Telecom’, duke marrë kasafortën dhe sende të tjera elektronike. Më tepër sesa vjedhja në vetëvete si akt kriminal, ajo që merr më shumë rëndësi dhe ngre disa pikëpyetje është vendi ku ndodhi ngjarja. Pikërisht në zemër të lagjes ’18 Shtatori’, disa metra pranë Drejtorisë së Policisë Gjirokastër. Si është e mundur që tre grabitës të armatosur dhe me maska, futen në një dyqan buzë rrugës, në orët e para të mëngjesit dhe largohen të pashqetësuar nga askush?
Kjo është ngjarja e dytë që ngre shumë pikëpyetje për sigurinë publike në Gjirokastër. Kujtojmë disa ditë më parë plagosjen e dy personave nga Lazarati në një lokal afër komisariatit të policisë. Edhe në këtë rast autori u largua, madje sipas policisë ai u lokalizua në Delvinë, por sot është ende i lirë. Cila është forca e reagimit të policisë Gjirokastër për ngjarje të tilla? Padyshim që vjedhje, grabitje dhe ngjarje të tjera krimianle ndodhin në çdo vend të botës.
Por kur ato mbeten të pazbuluara, natyrisht që thyhet besimi i qytetarëve tek policia. Mendoni për një çast se çfarë sigurie mund të kenë banorët e një lagje periferike në Gjirokastër, po themi në ‘Grehot’, kur grabitës të armatosur bëjnë ‘namin’ në mes të ’18 Shtatorit’, pranë komisariatit të policisë dhe më pas largohen të pa shqetësuar. Mendoni se çfarë sigurie mund të ndiejnë banorët e një fshati të largët, kur forca e reagimit të policisë është e ulët në zemër të qytetit. Nuk është qëllimi të baltosim punën e Policisë së Shtetit dhe as ta pengojmë atë në kryerjen e detyrave që i ngarkon ligji, por dy ngjarjet e fundit në Gjirokastër ngrenë pikëpyetje mbi sigurinë publike në këtë qytet dhe forcën e reagimit të policisë.
Sfida me kriminalitetin është të parandalosh në kohë ngjarjet apo kur ato ndodhin, t’i zbardhësh duke vënë në bankën e të akuzuarve autorët. Ngjarje të tilla si grabitja e sotme apo plagosja e disa ditëve më parë krijojnë pasiguri tek qytetarët që jetojnë këtu, por edhe tek turistët që vizitojnë Gjirokastrën.
© ArgjiroLajm.net