Policia shqiptare ka shtuar masat e sigurisë në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, prej nga ku mbërrijnë autobusa me shtetas greke që do të marrin pjesë në ceremoninë mortore të ekstremistit Kacifas, i cili u qëllua për vdekje nga forcat RENEA gjatë shkëmbimit të zjarrit 10 ditë më parë. Agjentë të policisë kufitare, të policisë së rendit dhe FNSH-së janë stacionuar në Kakavijë që prej ditës së djeshme. Cdo person që hyn në Shqipëri skanohet mirë, nuk u lejohen simbolet nacionaliste dhe nëse paraqet rrezikshmëri kthehet pas. Në kontrolle është përfshirë gjithashtu edhe shërbimi doganor. Raportohet se në kufi ka radhë të gjata pritje, gjë që ka acaruar grekët me palën shqiptare. Mediat greke raportojnë se vonesat janë të qëllimshme për t’i penguar që ata të marrin pjesë në varrimin e Kacifasit. Ndërkohë mësohet se në fshatin Bularat ku do të mbahet ceermonia mortore nuk do të ketë prezencë të policisë me uniformë, por vetëm agjentë civilë. Gjithashtu të pranishëm do të jenë edhe agjentë të Shërbimit Informativ Shtetëror.
©ArgjiroLajm.net