Vazhdimi i dënimit me vdekje të Vjosës!

Nga Mero Baze

Problemi më serioz me të cilin po përballet Shqipëria në këtë tranzicion, nuk janë mungesa e investimeve, por investimet kundër zhvillimit të vendit. Rasti më ilustrues është shkatërrimi i grykës së Këlcyrës, gryka më e gjatë prej 13 km në Ballkan, që e përshkruan i vetmi lum i egër i Europës, Vjosa.

Ujërat në të dy anët e grykës, kryesisht në formë ujëvarash, i kanë dhënë asaj zone statusin e një vendi turistik edhe gjatë komunizmit, kur turistët numëroheshin me gishta. Pika turistike e Këlcyrës ishte degë e hotel “Dajti”-it, ku çohej çdo turist i huaj që vinte në Shqipëri.

Masakra filloi në vitin 2007. Një investitor me emrin Harri Lena (Harrilla duhet ta ketë pas), zaptoi një territor që e shikoni në hartë. Ishte pronë e familjes Këlcyra, e pakthyer në atë kohë, që u zaptua. Për t’i rënë shkurt, biznesmeni me pak lekë nën dorë, arriti t’u jepte disa fshatarëve tapi me ligjin 7501, duke ua parablerë tokat.

Pastaj filloi aventurën e ndërtimit të fabrikës. Në zonën më turistike të Shqipërisë u shfaq një kapanon që të jep përshtypjen se nuk hyn në një luginë turistike, por në Bradashesh në Elbasan, duke vizituar Kombinatin Metalurgjik. Për të tejkaluar pengesat që i dilnin para, sa i përket lejes, taksave, që ka zakon që nuk i paguan kurrë, dhe sidomos faktit që kthimi i kësaj zone, në zonë industrial, shkatërronte turizmin, ai i ra shkurt. Shkoi në një nga ato mbrëmjet që bënte Liri Berisha me biznesmenë, i futi një foto mes Argitës e Lirisë, e shumfishoi dhe e mbante në kroskot të makinës, për këdo që i dilte para.

Ishte rasti kur më dhimbsej dhe Argita, të cilën po e bënin kot pronare të fabrikës së ujit.

Bëra sa munda betejë publike kundër tij, por armiqësia ime me Berishën ju bë fat, dhe ndoshta edhe për inat tim, Berisha ja legalizoi ndërtimin, masakrën në mjedis, dhe hodhi hapin e parë të shkatërimit të zonës.

Hapin e dytë po e hedh tani Edi Rama.

Duke qenë se uji që ai merr për fabrikën, është ujë pusi dhe nuk pëlqehet në treg, ai ka hedhur sytë në anën tjetër të Vjosës, ku del një burim në mes të lartësisë së shpellave, në krah të ujëvarave.

Projekti që do të realizojë, është një tmerr. Nga zhavori buzë lumit, në breg të Vjosës, ai do të ngrejë një depo betoni për ujin e burimit, me qëllim që ta ruajë nga fryrja e Vjosës në dimër. Lartësia e betonizimit i kalon 15 metra, pasi kërkon ta ngrejë në lartësinë e bregut të Vjosës për ta çuar me rrjedhje të lirë në fabrikën përballë. Për këtë duhet të bëjë dhe një urë betoni rreth 60 metra mbi Vjosë, dhe rreth 200 metra në tokë, deri tek fabrika.

Kështu shkatërron gjithçka, shpellat panoramike si brezare buzë Vjosës, burimin e ujit, panoramën e Vjosës, që tani do ketë dhe një tub betoni sipër saj, që të ta shpifë tërisht lumin.

Sikur të gjitha këto që them, t’i kishte me leje dhe rregulla, do të ishte një skandal i madh.

Por është edhe më keq akoma. I ka nisur pa asnjë leje. E ka nisur me arrogancën dhe skuthllëkun e biznesmenit që i gjen një mik dikujt në qeveri dhe ecën para.

Policia ka shkuar në vendgjarje, ka gjetur kantierin në fjalë dhe nuk ka arrestuar askënd. E ka lënë ngjarje pa autor.

Pas kësaj, autori i krimit ka shkuar vetë në Bashkinë e Këlcyrës dhe ka kërkuar leje për masaskrën që ka nisur pa leje. Për shkak të legjislacionit të lumenjve dhe moskopetencës së Bashkisë, ndërkohë që po bëhet studimi i zonës, Bashkia nuk ka tagër të japë leje për ndërtime mbi Vjosë, kështu që lejen duhet ta japë KKT në Tiranë. Dhe tani aty ka ngelur shpresa dhe fundi i shpresës.

Por le mos ta paragjykojmë fundin e kësaj historie, por atë që ka ndodhur deri tani.

Në një nga dëgjesat me qytetarët disa javë më parë, Edi Ramës i kërkoi një fshatar të ndërtonte kasollen e lopëve se ja kishte marrë era llamarinat, por ai i tha mos bë asgjë pa leje, se do shkosh në burg.

Ky njeri që ka shkatërruar ndërkohë grykën e Këlcyrës, jo vetëm që nuk po shkon në burg, por po dëshmon hapur se ka blerë policinë, Prokurorinë, INUK, dhe ndoshta dhe njerëz më lartë. Tërbimi i rrjeteve sociale kundër tij dhe portaleve të Tiranës, as që e shqetësojnë. Biles kam frikë se njësoj si në vitin 2007, kur bash për inat të sulmeve në shtyp prej meje, Berisha e lejoi të nisë masakrën, Edi Rama mund ta çojë deri në fund të keqen.

Pastaj na ngelet që në hyrje të grykës së Këlcyrës të vëmë videon e Edi Ramës ku premton se atë zonë do ta shpallë Park Kombëtar, do ndalojë çdo ndërtim, dhe do t’i japë perspektivë turstike. Të paktën ta kemi për muze.

Por përtej kësaj, kjo është një nga ato pikat e së keqes, që derdhin të tërë tenxheren. Nëse Edi Rama e lejon që ai të betonizojë bregun e Vjosës dhe të bëjë aty atë shëmti që ka nisur pa leje, unë e siguroj se do të gjendet aq tritol që ta rikthejë drejtësinë, sa për t’i provuar këtij uzurpatori se jo gjithçka mund ta blejë. Natyrisht jam shumë entuziast që ka mijëra njerëz që po protestojnë dhe ky është një sinjal që i jep më shumë legjitimitet drejtësisë përmes tritolit mbi atë shëmti. Ngjan pak si akt terrorist, por është më i dobishëm për shoqërinë se qeverisja e Edi Ramës në aleancë me kastën e biznesmenëve batakçinj, që duan të shkatërrojnë edhe ato pak gjëra që i kanë mbetur këtij vendi.

Ky është një sinjal që Shqipëria duhet të pushojë së investuari kundër zhvilimit të saj, kundër të ardhmes së saj, kundër perspektivës turistike të saj. Nuk mundet që në një grykë turistike të ketë dhe metalurgjik, dhe turistë që të shijojnë ujëvarat, pse i duhen ca lekë Harri Lenës. Impakti i atij investimi mbi zonën është shkatërrimtar, biles ky batakçi as taksat nuk ka paguar dy vitet e fundit, edhe pse janë qesharake. Arsyeja është se uji Trebeshina është një biznes i dështuar. Për shkak të mënyrës si e pushtoi vendin, ai u detyrua të shponte mes fabrikës, duke shitur ujë pusi. Dhe po dështon në treg. Tani i duhet dhënë një leksion më i egër. Unë ju bashkova me qejf nismës pë të bojktuar çdo produkt të këtij biznesmeni në treg, si përgjigje ndaj dikujt, që kërkon të pasurohet duke shkatërruar Shqipërinë. Por më me qejf do t’i bashkohem çdo lëvizje, çdo politike dhe çdo grupi shoqëror, që zotohet se do ta fshijë fare atë çiban nga gryka e Këlcyrës. Një mënyrë e mirë është kjo, që askush të mos e prekë me dorë ujin “Trebeshina” deri sa të falimentojë. Ato kapanonet mund të bëhen stalla të mira për bagëti dhe e kthejnë në natyralizëm grykën. Harri po të dojë le të rrijë çoban në stalla. Por pronar betonesh nuk duhet të lejohet./tema

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.