Qeveria vendosi sot dhënien e statusit “varrezë historike” vendprehjes së ushtarëve të rënë gjatë luftës italo-greke në vitet 1940-1941, me vendndodhjen në fshatin Bularat, Bashkia Dropull.
Propozimi është bërë nga ministri i Jashtëm, ai i Infrastruikturës dhe ministri i Brendshëm. Vendimi hyn në fuqi menjëherë. Sipas ligjit shqiptar për shërbimin publik të varrimit, varrezat historike ngrihen me vendim të Këshillit të Ministrave, në shenjë përkujtimi për ngjarje të veçanta historike, me elemente funksionale dhe organizative të dallueshme qartë dhe të përshtatura sipas nevojave të ceremonialit zyrtar dhe pelegrinazhit kolektiv.
Në varrezat historike prehen persona që kanë humbur jetën gjatë/dhe për shkak të ngjarjeve që përkujtohen. Varrezat historike nuk shërbejnë për varrime të reja. Rregullat për administrimin, financimin, kujdesin dhe mirëmbajtjen e tyre përcaktohen në aktet me të cilin krijohen varrezat historike.