Orkestra Simfonike e Vankuverit pritet të performojë për artdashësit gjirokastritë në kuadër të një turneu koncertesh nën titullin “Turneu Ballkanik 2018” që do të mbahet nga datat 18 deri në 30 Mars 2018. Orkestra e njohur rikthehet për herë të dytë në Gjirokastër. Ftesa i është bërë nga kryebashkiakja Zamira Rami.
Për herë të parë Orkestra Simfonike e Vankuverit ka performuar në Kështjellën e Gjirokastrës në korrik të vitit 2012. Në atë kohë orkestra ishte pjesë e Festivalit Ndërkombëtar “Takimet Muzikore të dy botëve” që mbahej në Gjirokastër.
Koncertet do zhvillohen në Gjirokastër, Shkodër, Ulqin, Prizren, Prishtinë dhe Tetovë, hapësira ballkanike të banuara nga shqiptarë.
Përveç koncertit në sallën e Kinoteatrit “Zihni Sako” që do të zhvillohet ditën e hënë. Më 19 mars, ora 19:00, orkestra do të japë një koncert modest edhe në fshatin “Asim Zeneli”, që është edhe vendlindja e dirigjentit Bujar Llapaj.