Trupi i 35-vjeçarit Kostandinos Kaçifas, ende nuk është tërhequr nga morgu. Familjarët e Kaçifas kanë dorëzuar një kërkesë në Prokurorinë e Gjirokastrës, me anë të së cilës, kërkojnë që mbi trupin e ushtarit grek të bëhet një ekspertizë e pavarur. Për herë të parë pas vrasjes, ka folur edhe babai i Kacifas, Janis Kacifa i cili thotë se djali i tij ishte i frymëzuar nga ushtarët grekë, ndjenjat patriotike dhe e donte Greqinë.
Prokuroria e Gjirokastrës nga ana tjetër, iu ka kthyer përgjigjie familjarëve, ku thuhet se kërkesa duhet të bëhet tek Prokuroria e Krimeve të Rënda. Një grup hetuesish bashkë me policinë e Shtetit kanë shkuar në vendngjarje, në vendin ku RENEA ekzekutoi ekstremistin grek Kacifa.
Ditën e sotme ishte planifikuar që të zhvillohej ceremonia mortore për varrosjen e Kaçifas, por mesa duket kjo ceremoni as sot nuk do të zhvillohet.
Gjendja në fshatin Bularat është e qetë, ndërkohë që forcat policore janë larguar nga fshati.
Konstantinos Kaçifa u vra nga reparti RENEA, dy ditë më parë, pasi nuk pranoi të dorëzohej. Ngjarja ka hapur një debat në shtetin fqinj, pasi grupi ekstremist i Agimit të Artë, ka organizuar një protestë ditën e ngjarjes. Mediat greke shkruajnë se Kaçifa u vra pasi u përlesh me policinë, sepse këta të fundit ulën flamurin grek në Bularat, ndërkohë që Tirana zyrtare ka përsëritur faktin se ngjarja është e izoluar, dhe se Kaçifa rrezikoi seriozisht jetën e punonjësve të policisë shqiptare.