Trashëgimtari i punimeve të gurit, ja 80-vjeçari nga Gjirokastra që “mban gjallë” figurat patriotike

Na ndiqni në Facebook dhe Instagram:
  • Facebook
  • Instagram
  • Youtube

Nga Besar Bajraktaraj

80-vjeçari shqiptar një jetë mes punimeve të gurit

Muhedin Makriu, është gurgdhendësi, i cili në një dyqan të vogël merret me punime karakteristike apo restaurime të ndryshme të gurit. Me një përvojë të gjatë punë, punimet e tij janë të veçanta, dhe radhë herë mund t’i gjesh në dyqane të tjera. Markiu 80-vjeçar të gjithë jetën e tij e ka kaluar mes punës, kryesisht në punët e dorës. Për 35 vite ka punuar axhustator ndërsa më pas ka nisur të merret me artin e gurgdhendës. Në një rrëfim për Frekuenca.com, Makri shpjegon proceset e punës së tij të përditshme prej shumë vitesh, mes vuajtjes dhe vështirësive të përditshme.

Një jetë me punë dore

Makri rrëfen që prej moshës 14 vjeç ka nisur punën, ku fillimisht ka mbaruar shkollën për axhustator, më pas është fokusuar në artin e gurgdhendës. “Unë në fakt jam djalë mademxhiu*(punëtorë guri). Gjirokastra është ndërtuar nga baballarët dhe gjyshërit tanë, qoftë me gurë të zi, qoftë me gurë të bardhë, që nga godinat e ndryshme, të komitetit ekzekutiv, apo të komitetit të partisë që quhej, të gjithë gurët babai im i ka zënë me duar disa herë, duke i nxjerrë dhe duke i punuar, duke i gdhendur dhe nga ajo kohë e kam trashëguar edhe unë. Unë bëja punë me baltë si plastelinë, kisha qejf që atëherë punët me dorë.

Kur isha 14 vjeç vajta në shkollën industriale (kështu quhej në atë kohë) dhe mora shkollën e axhustatorit, kryesisht në punët me çekiç dhe pasi mbarova shkollën 35 vite kam punuar axhustator duke bërë format sidomos kur u hap uzina metalike në Gjirokastër dhe pastaj dola në pension, punova në Janinë, pastaj nja 5 apo 6 vite në fshatrat e Gjirokastrës dhe pothuajse 10 vite tek ky dyqani këtu për të mbajtur trashëgiminë e punimit të gurit.

Të gjitha këto punimet këtu i kam kaluar në duar dhe ua kam mësuar djemve dhe nipit. Djemtë e kanë me qejf, por nipi akoma jo, sepse është dhe akoma i vogël. Këtu kam mbi 100 produkte të llojeve të ndryshme që nga lulet, kafshët, figurat patriotike etj”, thotë Makri.

Çfarë preferojnë më shumë turistët?

Një pikë e fortë për punën e tij janë edhe turistët pasi arti që ai krijon më shumë vlerësohet nga vizitorët e ndryshëm, por për shkak të peshës që punimet e tij është një problem për shitjet. “Kam dhe jashtë punime të kalasë së Gjirokastrës apo dhe të shtëpive të Gjirokastrës, mirëpo ç’është e drejta është gur dhe nuk ka shumë vlerë. Edhe turistët që vijnë e blejnë nxjerrin pretekstin e avionit, për shkak të peshës që ka, ndërsa preferojnë më shumë Gjirokastrën me përmasa të vogla. Kemi pak shitje ç’është e vërteta të produkteve të Gjirokastrës.

Turistët vijnë nga e gjithë bota, ndërsa sivjet kanë ardhur italianë, polakë, pak gjermanë, suedez, nga Holanda edhe të tjerë. Por është problemi se janë të rënda këto që bëj dhe thonë unë për tek xhepi i këmishës e kam të rëndë, marrin fotografitë dhe mbushin botën me fotografi. Nuk me paguajnë për fotot, por dhe mua më vjen zor t’i kërkoj. Çmimet varjojnë në varësi të punës, nga 5 euro, 10 euro, 20 mijë lekë etj. Sa më e madhe të jetë puna dhe sa më vështirë aq më shumë kërkohet. Periudha që ka më shumë shitje është periudha e gushtit, sepse atëherë vijnë dhe turistë familjarë, sepse vijnë për të bërë një xhiro dhe shikojnë dhe kalanë e Gjirokastrës”, thotë 80-vjeçari.

Të ardhurat që sjell ky profesion

Ashtu si shumë profesione në Shqipëri që nuk sjellin të ardhura të mjaftueshme, është dhe profesioni i gurgdhendësit. Makri rrëfen se është detyruar dhe të iki jashtë vendit për të punuar për një periudhë kohe, pasi të ardhurat nuk kanë qenë të mjaftueshme, ndërsa tani edhe pse pensionist detyrohet të punojë për të ndihmuar familjen. “Unë jam pensionist dhe punoj më tepër se e kam mësuar dhe e kam me pasion, jam 80 vjeç dhe kam shumë vite punë. Në vitet e demokracisë nuk i jam ndarë gurit dhe kam 35 vjet punë me hekurin. Kur na sollën këtu një shoqatë për trashëgiminë, për ta mbrojtur dhe për të vazhduar traditën, na dhanë dyqanin dhe s ‘do paguanim qiranë, pastaj e mori shteti dhe na thanë për 4 vite që s‘do paguanim qiranë dhe pastaj e paguajmë deri tani me gjitha taksat e detyrimet. Ky është vend i vogël dhe do të dëshiroja të kisha një vend më të madh për ta mësuar dhe për të mos humbur ky zanat, sepse po zhduket ky profesion, pasi është punë e rëndë, ka lodhje, ka pluhur. Duhet të kishim ndonjë stimul nga shteti, mirë do ishte që shteti të na jepte një stimul, një rrogë të vogël dhe jo t’na i marrë lekët me taksa”, thotë ai.

Pjesëmarrja në konkurse

E gjithë eksperienca e tij e gjatë në punimet e dorës siç duket është shpërblyer dhe me çmime të ndryshme, ku ka qenë pjesëmarrës. Vlen të theksohet se çmime dhe vlerësime ka marrë edhe në kohën e Komunizmit, ku në një rast ka dalë në gazetë si punëtor shembullor. “Edhe në konkurset që kemi zhvilluar me Krujën dhe Beratin, unë zura vendin e parë, më i miri i vendit. Këtë punë e kam pasion dhe nuk mund të rri dot pa punë. Dola më i miri sepse i përkushtohem. Kjo punë do punë, do vullnet, do përkushtim të madh dhe nuk ë bën kushdo këtë punë. Është punë e vështirë, do intuitë, do të kesh haber nga skulptura, nga piktura. Në qershor të 75-së më kanë nxjerrë në Revistën “Hylli” të asaj kohe dhe e mbaj mend kur më sollën revistën në tavolinën e punës.

Mund të lë punë të tjera pa zgjidhur por vij tek puna çdo ditë, edhe të diele edhe të shtunë, nuk njoh pushime, që kur isha mekanik. Në verë rri 10 apo 12 orë këtu tek puna, ndërsa në dimër më pak sepse nuk ka njerëz dhe errësohet më shpejt dhe për arsye që shumica ka ikur ose në Tiranë ose jashtë shtetit dhe ka mbetur Gjirokastra pothuajse e shkretë. Unë kam dalë dhe në televizion dhe i kam bërë thirrje prindërve që kush ka fëmijë që dëshiron ta mësojë këtë profesion mund të vijë këtu, por është vend i vogël edhe për mua, jo më të vij dhe dikush tjetër. Për këtë arsye më shumë punoj jashtë, marr karrigen, marr tavolinën, sepse është dhe ambient i mbyllur”.

Së fundmi gurgdhendësi Makri rrëfen dhe veglat e punës që i nevojiten për të krijuar artin. “Unë vegla të punës kam: çekiç, peronat ose daltat siç thuhet ndryshe, kam skuadrën, kam toporen, kam dhe metrin dhe disa të tjera. Mund të bëj dhe peronat, që janë me çelik”, shprehet ai.

Sondazh: Votoni personazhin e vitit 2018 në Gjirokastër (lista me 10 kandidatë)

Leave a Reply

Your email address will not be published.