Skëderbeu kërkon ndihmën e tifozëve për ta nisur me fitore në Gjirokastër ndaj Luftëtarit pjesën e dytë të sezonit. Drejtuesit e skuadrës korçare kanë vendosur t’u sigurojnë transportin falas mbështetësve të ekipit, për të mos e ndier “ftohtësinë” në shkallët e stadiumit të Qytetit të Gurtë. Në njoftimin e klubit shkruhet:
“Skënderbeu udhëton këtë të premte drejt Gjirokastrës, atje ku do të luhet ndeshja e parë e vitit ndaj Luftëtarit vendas. Takimi i javës së 17-të të Kategorisë Superiore luhet në orën 14:00 në stadiumin “Gjirokastra”. Klubi i futbollit “Skënderbeu” ka vendosur transport falas për të gjithë tifozët që dëshirojnë ta ndjekin takimin në shkallët e stadiumit.
Tifogrupi “Ujqërit e Dëborës” mblidhet në orën 07:30 të mëngjesit para stadiumit “Skënderbeu” për t’u nisur drejt Gjirokastrës. Ftojmë tifozët të bashkohen me “Ujqërit” në këtë transfertë. Bashkë më të fortë, bashkë ia dalim!”