Sezoni i fundit ishte një dështim total për Tiranën. Vendi i shtatë, me qëndrimin në Superiore të diskutuar deri në momentet e fundit, si dhe licencimi i munguar, e bëjnë situatën kritike në klubin kryeqytetas. Arritja në finale të Kupës së Shqipërisë nuk do të thotë asgjë.
Trajneri Ardian Mema është thuajse i larguar nga Tirana. Ai e tha hapur në daljet e fundit publike se do të qëndronte vetëm për një projekt serioz, për një Tiranë kompetitive, por në kushtet aktuale vështirë se mund të flitet për një skuadër të tillë. Shanset që trajneri kryeqytetas të vazhdojë janë minimale dhe drejtuesit duhet të gjejnë një trajner të ri. Emri më i përfolur është ai i Julian Ahmatajt, i cili mund të vijë te kjo skuadër me “grupin” nga Gjirokastra, me lojtarë që kanë luajtur për Luftëtarin sezonin e fundit.
Për grupin e futbollistëve nuk di nga t’ia fillosh. Mund të numërohen me gishtat e njërës dorë ata lojtarë të grupit aktual që do t’i bënin punë Tiranës së re. Teknikisht skuadra duhet ribërë, por më parë duhen zgjidhur çështjet më të rëndësishme, që kanë në rrënjë të tyre atë financiare. Tirana ka nevojë për një dorë të fortë, që ta riorganizojë.