Toka juaj është në vëzhgim. Qeveria ka iniciuar nismën për krijimin e Agjencisë Shtetërore të Shpronësimeve, një agjenci tërësisht e dedikuar për shpronësimet.
Ligji i paraqitur për konsultim vjen në një kohë kur janë zyrtarizuar dy nisma të tjera si ajo “Për investimet strategjike” dhe “Korporata e investimeve”. Kjo i jep tjetër dimension çështjes, pasi e bën më shumë se çdo herë tjetër të pasigurt pronën private. Ndonëse që në nisje të relacionit që shoqëron draftin e ri, Qeveria është kujdesur të thotë që kjo agjenci po krijohet prej problematikave të krijuara së fundmi me shpronësimet për interes publik, duke pasur parasysh këtu situatën në kryeqytet me qëndresën më shumë se 1-vjeçare të banorëve të Astirit apo konfliktet në Shkozë, duket se “Thembra e Akilit” qëndron gjetkë gjetkë.
PASIGURIA E PRONËS
Ligji për krijimin e Agjencisë së Shpronësimeve u parapri nga dy ligje të tjera të rëndësishme, siç janë ligji “Për investimet strategjike” dhe ligji “Për korporatën e investimeve”, ky i fundit i miratuar vetëm një ditë më parë në Parlament. Zyrtarizimi i tyre i jep dorë të lirë qeverisë që çdo pronë, e cila mund të jetë e lakmueshme për sytë e investitorit, të kthehet në plan biznesi me “bekimin” e Agjencisë së Shpronësimeve. Në rastin më të mirë, kur familjet kanë dokument pronësie, marrin kompensim, në rastin më të keq, kur s’janë të pajisura me tapi, dalin nga procesi pa asgjë. Agjencia e Shpronësimeve do të jetë institucioni që do të shërbejë si ndërlidhës ndërmjet investitorëve dhe qytetarëve. Nëse investitorët do të shfaqin interes për sipërfaqe të caktuara toke nga veriu në jug, Agjencia merr përsipër të bëjë shpronësimin e banorëve. Pak apo aspak rëndësi ka se çfarë mendimi do të kenë këta të fundit, nëse janë dakord apo jo, pasi ligji i shpronësimeve nuk krijon hapësira apo mundësi zgjedhjeje. Si në rastin e shpronësimeve për interes publik kur bëhet fjalë për ndërtimin e rrugëve apo shkollave, ashtu do të veprohet edhe me shpronësimet për investimet strategjike. Qytetarët do të duhet të mjaftohen vetëm me kompensimin, gjithnjë nëse do të mund ta përfitojnë edhe atë.
AGJENCIA
Ligji i ri për krijimin e Agjencisë së Shpronësimeve, ndonëse është lënë të plotësohet me akte nënligjore, përcakton procedurat e reja që do të ndiqen për shpronësimet. Në momentin që në agjenci do të mbërrijë një kërkesë nga një investitor, qeveria do të bëjë publike projektin në Fletoren Zyrtare. “Me njoftimin e kërkesës për shpronësim për interes publik, sipas pikës 1 të nenit 14 të këtij ligji, për të krijuar mundësitë për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të personave të tretë ndaj ose për shkak të pasurive pronë private që kërkohet të shpronësohen, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin bën publikimin e kërkesës për shpronësim në Fletoren Zyrtare dhe në faqen e internetit të ASHSH”, thuhet në ligj. Kaq mjafton që Qeveria të dalë e të thotë se jemi në rregull dhe procesi ka qenë transparent. Çfarë vjen më pas janë vetëm praktikat e shpronësimit, miratimi i listave me familjet që preken në qeveri dhe ndarja e parave./ Panorama