Tregu Industrial i Gjirokastrës që u inagurua 5 muaj më parë është larg të qenit një investim me standarde, ndonëse aty u shpenzuan rreth 300 milionë lekë të vjetra. Reshjet e borës dhe të shiut kanë përfunduar brenda dhe kanë dëmtuar mallrat e tragtarëve.
Rreth 60 tregtarët me aktivitet të përditshëm aty e pritën me festë të madhe inaugurimin e tij, por sot mundohen të mbrohen me plastmase dhe kova nga pikat e shiut që depërtojnë brenda. Tregtarët paguajnë rregullisht 6 mijë lekë në muaj si taksë në Bashki.
Në kushtet kur Bashkia Gjirokastër nuk po merr asnjë masë për ta rregulluar këtë problem, tregtarëve u lind e drejta të refuzojnë të paguajnë taksat. Ata s’mund të paguajnë kur vazhdojnë të shesin pothuajse në të njëjtat kushte si ato që kishin për vite me radhë mes pluhurit dhe shiut në rrugën pranë gjimnazit ‘Siri Shapllo’.
E nëse Bashkia Gjirokastër nuk ndërhyn për të rikonstruktuar çatinë e tregut, ky investim gjysmak duhet të hetohet nga Prokuroria. Shpërdorimi i fondeve publike në investime pa cilësi, që ndryshe regjistrohen në letra dhe ndryshe janë në realitet, përbën vepër penale dhe drejtësia duhet të bëjë punën e vet.
©argjiroja.net