Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 27-vjeçarin Aldiron Shehu nga Gjirokastra, që i shpëtoi në mënyrë spektakolare postblloqeve të policisë nga Korça në Elbasan ku edhe shkaktoi një aksident të trefishtë me pasojë plagosjen e 5 personave, mes të cilëve edhe një efektiv policie.
Teksa bëri një përmbledhje të ngjarjes së 4 shkurtit Prokurori Ritvan Sukaj nxori bllof policinë e Elbasanit kur deklaroi se “policia qëlloi në ajër, në momentin që mjeti tip “WolksWagen” goditi punonjësin e policisë 27-vjeçarin Eugen Abdurrazaku.
Ende nuk dihen arsyet pse policia e Elbasanit mohoi të shtënat në kushtet e ligjshmërisë pasi një punonjës policie u godit.
Ndërkohë mbrojtja e cilësoi aksident ngjarjen e 4 shkurtit ndërsa kërkoi hetim ndaj policisë për mënyrën amatore të veprimit dhe ngritjes së postbllokut në vendin e gabuar.
27-vjeçari Aldiron Shehu akuzohet për veprat penale “Vrasje e punonjësit të policisë e mbetur në tentativë” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë.”/ Tch