Gole Tavo ka marrë para nga Bashkia Gjirokastër deri ditët e fundit përpara se të dorëhiqej si president i klubit. Burime të Argjirolajm.net thonë se nga arka e Bashkisë, me firmë të Zamira Ramit, i kanë kaluar në llogari të klubit rreth 80 milionë lekë të vjetra.
Por deri më tani të konfirmuara nga Thesari i Shtetit, Dega Gjirokastër, janë 57 milionë lekë të vjetra. Pagesa është kryer më datë 12 korrik. (Shiko dokumentin më poshtë) Bashkia thotë se ky është subvencion që i jepet klubit për të mbuluar humbjet. Nuk dihet se përse janë përdorur këto para nga Gole Tavo. A janë tërhequr privatisht prej tij apo për të shlyer ndonjë borxh të prapamebtur?
Kjo duhet të jetë pjesë e auditimit që i duhet bërë klubit Luftëtari. Nga ana tjetër, duket e cuditshme se si Zamira Rami në ditët e fundit të mandatit nxjerr nga llogaria e Bashkisë Gjirokastër këto miliona lekë në një kohë kur klubi është shpërbërë. Edhe sikur pagesa e kësaj shume të ketë qenë detyrim i bashkisë ndaj klubit, në kushtet kur Luftëtarit i ka mbetur vetëm emri, një kryebashkiak i përgjegjshëm s’do të procedonte më tej me këtë pagesë.
Por me sa duket Zamira Rami ecën sipas parimit: Pas meje, le të bëhet qameti! Gole Tavo dha dorëheqjen 10 ditë pasi Bashkia Gjirokastër i kishte kryer pagesën prej 57 milionë, e faktuar përmes dokumentit më poshtë, ndërkohë që burimet i thanë Argjirolajm.net se në fakt bëhet fjalë për një shumë prej 80 milionë lekë të vjetra.
©argjiroja.net